Botë

Presidenti i Ukrainës fton rezervistët ushtarakë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar të martën se rezervistët ushtarakë do të thirren për stërvitje, por ka theksuar se nuk do të ketë mobilizim të përgjithshëm të forcave të armatosura, pas njohjes si territore të pavarura nga Rusia të zonave në lindje të Ukrainës, të cilat kontrollohen nga separatistët rusë.

Në një fjalim kombëtar, Zelensky ka thënë se ai ishte ende duke ndjekur diplomacinë si një rrugëdalje nga kriza dhe ka përshëndetur ofertën e Turqisë për të ndërmjetësuar bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë, raporton CNN.

Ai bëri thirrje gjithashtu për një samit të të gjithë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së së bashku me Gjermaninë dhe Turqinë.

Zelensky iu ka referuar njoftimit të presidentit rus, Vladimir Putin, se Marrëveshjet e Minskut të krijuara për t'i dhënë fund luftimeve në Ukrainën lindore nuk zbatohen më, duke thënë se Ukraina mbetet e përkushtuar për të kërkuar sovranitetin dhe integritetin e saj.

I pari i Ukrainës ka përshëndetur sanksionet e shpallura nga qeveritë perëndimore kundër Rusisë dhe iu referua vendimit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për të pezulluar certifikimin e gazsjellësit Nord Stream 2, i cili do të sillte gaz natyror të lëngshëm rus në Gjermani dhe tregje të tjera evropiane.

Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë: “Ne dëshirojmë paqe dhe qetësi, por nëse jemi të qetë sot, nesër do të zhdukemi”.