Botë

Donetsku dhe Luhansku: Cila është rëndësia e rajoneve separatiste

Dy republikat e vetëshpallura rebele të Donetskut dhe Luhanskut, pavarësinë e të cilave Moska e njohu të hënën, shtrihen në brezin xeheror në Ukrainën Lindore dhe Kievi në vitin 2014 humbi kontrollin e tyre

Që atëherë, më shumë se 14.000 persona janë vrarë në luftimet midis ushtrisë së Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Moska, shkruan “Al-Jazeera” në historinë e përmbledhur të dy rajoneve kryengritëse.

Për rajonin

Donetsku, i rrethuar nga grumbujt e përbaltur me xehe , është qyteti kryesor në pellgun e minierave të Donbasit.

Dikur quhej Stalino, tash Donetsku është qendër industriale e dominuar nga minierat.

Është gjithashtu një nga qendrat kryesore të prodhimit të çelikut të Ukrainës.

Ka dy milionë banorë.

Luhansku, dikur i njohur si Voroshilovgrad, është gjithashtu qytet industrial me 1.5 milionë banorë.

Ata janë të grupuar në pellgun, në kufirin me Rusinë në brigjet veriore të Detit të Zi – vend i rezervave të mëdha të qymyrit.

Prania e rusishtfolëses u shtua pasi shumë punëtorë rusë u dërguan atje pas Luftës së Dytë Botërore gjatë epokës sovjetike, shkruan “Al-Jazeera”.

Konflikt që nga viti 2014

Rajonet janë kurthuar në konflikt të armatosur me ushtrinë e Kievit që nga kryengritja e armatosur e mbështetur nga Kremlini pas aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014.

Pavarësia e tyre, e shpallur pas referendumeve, nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia nxiti kryengritjen e atjeshme, duke dërguar armë dhe trupa përtej kufirit për t'i forcuar radhët rebele.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njohu të hënën pavarësinë e tyre.

Donbasi është gjithashtu në zemër të betejës kulturore midis Kievit dhe Moskës, e cila thotë se rajoni, një pjesë e madhe e Ukrainës Lindore, flet rusisht dhe duhet të mbrohet nga nacionalizmi ukrainas, kujton “Al-Jazeera”.

Marrëveshjet e paqes

Përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainën Lindore, të përcaktuara në Marrëveshjet e Minskut të vitit 2015, janë bllokuar. Kievi dhe separatistët kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje reciproke.

Një seri armëpushimesh kanë dështuar për shkak të shkeljeve të përsëritura nga palët ndërluftuese.

Pjesa politike e marrëveshjeve, e cila parashikon një shkallë të madhe autonomie për rajonet rebele dhe zgjedhjet lokale sipas ligjit ukrainas, mbetet pezull, ku secila palë fajëson tjetrën për dështimin.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, denoncoi njohjen nga Rusia të republikave separatiste si “një shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”, shkruan televizioni nga Katari.

Liderët

Secila prej dy republikave kërkon autonomi të plotë nga qeveria qendrore dhe ka presidentët e tyre të vetëshpallur.

Denis Pushilin, i zgjedhur në vitin 2018 në zgjedhje të kontestuara nga Kievi, është lideri i së ashtuquajturës Republika Popullore e Donetsk, ndërsa Leonid Pasechnik është lideri i rajonit separatist të Luhanskut.

Shumë komandantë lufte dhe zyrtarë separatistë janë vrarë gjatë viteve të fundit në sulme, si viktima të luftimeve të brendshme ose në operacione nga forcat ukrainase, sipas raporteve që nuk mund të verifikoheshin.

Udhëheqësi rebel i Donetskut, Alexander Zakharchenko, i vrarë me një sulm bombë në një kafene në Donetsk në gusht 2018, është viktima më e njohur rebele në konflikt deri më sot.