Botë

Gjermania akuzon Rusinë se po përdor diplomacinë e Luftës së Ftohtë

Descriptive Text

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka akuzuar Rusinë se po rrezikon paqen me diplomacinë e ngjashme me Luftën e Ftohtë, duke i kërkuar Moskës të ndërmarrë "hapa serioz drejt shtensionimit" të krizës në Ukrainë.

Kjo vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se Rusia mund të jetë gati të bëjë një justifikim për ta pushtuar Ukrainën.

Bideni akuzoi se aksioni ushtarak mund të fillonte menjëherë, por theksoi se një zgjidhje diplomatike ishte ende e mundur. Ndërkohë, Rusia ka deklaruar se pretendimet ishin "të pabaza" dhe akuzoi SHBA-në për nxitje të tensioneve.

Moska ka thënë se po kryen stërvitje ushtarake dhe thotë se disa trupa janë zhvendosur në bazat e tyre të përhershme ditët e fundit, mirëpo fuqitë perëndimore thonë se nuk kanë parë asnjë provë për një tërheqje.

Të premten, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u bë politikania më e fundit e lartë perëndimore që shprehu shqetësimet për grumbullimin masiv të personelit dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia pranë kufirit të saj me Ukrainën dhe në Bjellorusi.

Në një deklaratë të lëshuar përpara Konferencës vjetore të Sigurisë në Mynih, ku liderët botërorë do të takohen për tre ditë nga e premtja, ajo paralajmëroi se Rusia po "sfidonte parimet themelore të rendit evropian të paqes" me "dislokimin e paprecedentë të trupave" dhe "kërkesat e Luftës së Ftohtë".

Komentet e saj i referohen një sërë kërkesash që Rusia ka bërë mbi sigurinë evropiane, të cilat synojnë të kufizojnë fuqinë ushtarake perëndimore në vendet që Rusia i sheh si brenda sferës së saj të ndikimit.

Perëndimi kundërshton idenë se Rusia ka të drejtë të ndikojë në politikën e jashtme të vendeve afër kufijve të saj, siç bëri Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Lufta e Ftohtë ishte periudha e pasluftës e shekullit të 20-të, kur rivaliteti midis Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik solli dy superfuqitë globale në prag të luftës bërthamore.