Botë

Tensioni në Ukrainë, rebelët akuzojnë njëri-tjetrin për bombardime të reja

Forcat qeveritare të Ukrainës dhe rebelët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit shkëmbyen akuza të reja për bombardime dhe shkelje të tjera të armëpushimit të premten, duke përshkallëzuar tensionet mes frikës së një pushtimi rus.

Kievi dhe rebelët fajësuan njëri-tjetrin për përshkallëzimin pas sulmeve me artileri dhe mortaja të enjten, duke shkaktuar frikën se Rusia, e cila ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, mund të përfshihet.

Kremlini tha të enjten se ishte "thellësisht i shqetësuar" me shpërthimin në Ukrainë dhe se po vëzhgonte situatën nga afër. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara thanë se Rusia po kërkonte një pretekst për luftë pasi kërkesat e saj që Ukraina të heqë dorë nga oferta për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s u kundërshtuan.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi se Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut ka thënë se granatimet kishin në shënjestër fshatin Petrivske në rajonin e shkëputur, në orën 5:30 të mëngjesit.

Një tjetër republikë rebele e vetëshpallur, Luhansk, raportoi disa incidente me mortaja të premten në mëngjes.

Qeveria e Kievit tha se rebelët qëlluan me artileri ose mortaja katër herë të premten. Mirëpo, ushtria ukrainase tha vonë të enjten se nuk kishin plane për të nisur një ofensivë në pozicionet e rebelëve.

Kievi dhe separatistët pro-rusë kanë qenë në luftë për tetë vjet dhe armëpushimi midis palëve shkelet në mënyrë rutinore, por intensiteti i luftimeve u rrit ndjeshëm këtë javë.

Dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë votoi këtë javë për t'i kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, që të njohë dy rajonet separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore si të pavarura.