Botë

Si po e përdor Rusia sarkazmën si armë në krizën me Ukrainën

Descriptive Text

“Luftërat në Evropë rrallë fillojnë të mërkurën”.

Kështu u përgjigj një diplomat rus për spekulimet nëse Rusia mund ta pushtonte Ukrainën të mërkurën, raporton AP.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e NATO-s paralajmërojnë për luftë potenciale shkatërruese, Rusia nuk po kundërvihet me bomba apo degë ulliri – por me sarkazmë.

Është një mjet të cilin zyrtarët në Moskë e kanë përdorur gjatë për të nënçmuar rivalët e tyre dhe të shpërqendruar vëmendjen nga veprimet që po shihen si kërcënuese për perëndimin ose fqinjët e Rusisë.

Teksa shqetësimet shpërthyen se e mërkura mund të jetë dita kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëron pushtimin e Ukrainës, zyrtarët rusë u tallën me ta.

“Për keqardhjen e shumë mediave perëndimore, lufta sërish dështoi të fillojë”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.

Ukrainasit nga ana tjetër po jetojnë në mes të shenjave që tregojnë për pushtim potencial, tash e disa javë, me rreth 150 mijë trupat ruse të grumbulluara në kufi. Rusia ka thënë se po fillon të tërheqë trupat, por zyrtarët në perëndim thonë se nuk ka shenja të asaj që thotë Rusia.

Ambasadori i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, akuzoi perëndimorët për shpifje. Ai insistoi se nuk do të kishte sulm të mërkurën.

Më pas shtoi: “Luftërat në Evropë rrallë fillojnë të mërkurën”.

Deklarata dukej më e çuditshme sesa historikisht domethënëse. Lufta e Parë Botërore filloi të martën dhe Lufta e Dytë Botërore filloi në Evropë të premten, por historia e luftës në Evropë gjatë shekujve përfshin konflikte që nisën gjatë gjithë javës.