Botë

Putin: Rusia nuk do luftë, Ukraina po kryen gjenocid në Donbas

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia nuk do luftë dhe kështu ka bërë propozime për të nisur procesin e negociatave, mirëpo ai thotë se nuk ka pasur reagime konstruktive ndaj propozimeve ruse.

Putin këto i ka thënë në konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz që është mbajtur në Moskë.

Putin është takuar me Scholzin sot për të biseduar për tensionet Ukrainë – Rusi.

Putin në konferencë është pyetur edhe për zgjerimin e NATO-s, e mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës.

Putin ka thënë se gjatë 30 vjetëve u është thënë se nuk do të ketë zgjerim të NATO-s, mirëpo thotë se sot infrastruktura i është afruar “te dera”.

“Ne duhet të zgjidhim këtë çështje tash, gjatë negociatave. Shpresojmë shumë që shqetësimi ynë do të dëgjohet nga partnerët tanë dhe të merret seriozisht”, ka thënë Putin.

Ai në anën tjetër e ka akuzuar Ukrainën për gjenocid në Donbas.

Ai ka akuzuar Ukrainën për gjenocid ndaj zonave që mbahen nga rebelët e mbështetur nga Moska.

“Nga këndvështrimi ynë ajo që po ndodh tash në Donbas është gjenocid”, ka thënë Putin.

E kancelari gjerman Scholz ka thënë se dëshiron që Putin të dërgojë negociatorët e tij me një mandat pozitiv që të arrihet përparim.

Ai ka thënë se siguria mund të arrihet me Rusin, e jo kundër Rusisë.

Ai ka shtuar se NATO dhe Evropa janë të bashkuar në mendimin se duhet gjetur një zgjidhje, pavarësisht sa e vështirë është.

“Ne të gjithë duhet të jemi të guximshëm dhe përgjegjës për veprimet tona”, ka thënë Scholz.

Ai ka shtuar se lufta është bërë e pamendueshme në Evropë dhe duhet të qëndrojë kështu.

Ndaj këtyre deklarimeve kishte reaguar Putin, duke përmendur luftërat në ish-Jugosllavi e duke fajësuar NATO-n.