Botë

BE-ja ia tërheq vërejtjen Bosnjës

Bashkimi Evropian ka dënuar veprimet e Kuvendit të Republikës Sërpska - entitet në Bosnjë-Hercegovinë – të cilat çojnë drejt krijimit të një këshilli të ndarë gjyqësor dhe prokurorial. Sipas BE-së, ky veprim “paraqet një shkelje të papranueshme të rendit kushtetues dhe atij ligjor të Bosnjë-Hercegovinës”.

BE-ja ka tërhequr vërejtjen se nëse ligji miratohet, do të ketë pasoja të rënda për të drejtat e qytetarëve të Bosnjës. Sipas BE-së, ky ligj thellon edhe më shumë pasigurinë ligjore dhe destabilizon sistemin ligjor.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnjë-Hercegovinën. Organizimi i tillë është bërë me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, në vitin 1995.

Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale. Projektligji për krijimin e këtij këshilli në Republikën Sërpska, që ligjvënësit e mbështetën, është antikushtetues, sepse transferon kompetencat nga niveli shtetëror i Bosnjë-Hercegovinës në nivel të entitetit të Republika Sërpskas.