Botë

Përmbledhje e KTV-së për 22 vjetorin e masakrës në Srebrenicë

Mbetjet mortore të rreth 70 personave janë varrosur në qendrën Potocari në Srebrenicë, në ditën kur u shënua 22-vjetori i masakrës më mizore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton KTV .

Mbetjet mortore u takonin viktimave të masakrës së kryer nga ushtria serbe në korrik 1995.

Më shumë se 8 mijë burra dhe djem ishin masakruar sistematikisht dhe u varrosën në varreza masive.

Përpos këtyre të vrarëve, mijëra burra, gra dhe fëmijë po edhe të moshuar ishin dëbuar nga vendi e një numër i madh grash ishin përdhunuar. OKB-ja e ka quajtur këtë masakër si dhunën më të madhe në Evropë në shumë vjet.

Në prag të ceremonisë përkujtimore të martën, mijëra njerëz kishin ecur nga e gjithë Bosnja deri në zonën përkujtimore për nder të atyre që u vranë para 22 vjetësh. Përvjetori i kësaj masakre përpos Bosnjës, ka hapur plagë edhe në Holandë.

Muajin e shkuar, gjykata e Apelit në Hagë vendosi që ushtarët holandezë pjesë e misionit të OKB-së të vendosur në këtë qytet gjatë luftës, ishin pjesërisht përgjegjës për vrasjen e më shumë se 300 boshnjakëve.

Sipas gjykatës, shteti holandez veproi në kundërshtim me ligjin në korrik 1995, duke e ditur se boshnjakët ishin në rrezik dhe s’bënë asgjë për t’i mbrojtur. Ndërkohë, në Tribunalin e Hagës për krime luftë në ish-Jugosllavi është duke vazhduar gjykimi i ish-komandantit të ushtrisë serbe në Bosnje, Ratko Mladiq, i cili mes tjerash akuzohet edhe për gjenocid në Srebrenicë. Prokuroria në Hagë ka kërkuar burgim të përjetshëm për të.

E në shënimin e përvjetorit këtë vit, në ceremoni nuk kanë marrë pjesë asnjë prej zyrtarëve serbë. Hera e fundit kur dikush nga Serbia mori pjesë në këtë ngjarje ishte para dy vjetësh, atëkohë kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili ishte sulmuar fizikisht.

Sipas serbëve, është e qartë se zyrtarët nuk janë të mirëseardhur në Srebrenicë. Beogradi pohon se e kupton këtë derisa tashmë presidenti Vuçiq deklaroi se Serbia nuk ka marrë as ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e Srebrenicës. Por kjo nuk i ka ndalur disa politikanë serbë nga opozita që të shkojnë atje. Ndërkohë, në Beograd të hënën mbrëma në qendër ishin mbledhur dy grupe që protestonin. Në njërën anë ishin përfaqësuesit e “Asociacionit për serbët e zhdukur”, të cilët ishin përpjekur ta paraqesin listën me emrat e serbëve, të vrarë në hapësirën e Srebrenicës mes viteve 1992 – 1995.

E në anën tjetër, ishin aktivistët e grupit “Gratë në të zeza”, njëra nga pak organizatat në Serbi, që insiston të pranohet gjenocidi në Srebrenicë.E përpos në Srebrenicë, ngjarje të shumta janë organizuar edhe në qytete të ndryshme botërore për ta shënuar këtë ditë.