Botë

Rusia dhe Bjellorusia nisin stërvitjet e përbashkëta ushtarake

Rusia dhe Bjellorusia kanë nisur 10 ditë stërvitje të përbashkëta ushtarake mes frikës së vazhdueshme për një pushtim rus të Ukrainës.

Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë dhe ka një kufi të gjatë me Ukrainën.

Franca i quajti stërvitjet, që besohet të jenë dislokimi më i madh i Rusisë në Bjellorusi që nga Lufta e Ftohtë, një "gjest i dhunshëm". Ndërkohë, Ukraina thotë se ato përbëjnë "presion psikologjik".

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka thënë të enjten se Evropa përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekada.

Ndërkaq, Rusia e ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi. Por SHBA dhe vendet e tjera perëndimore kanë paralajmëruar se një sulm mund të ndodhë në çdo kohë.

Stërvitjet - të njohura si Allied Resolve 2022, po zhvillohen afër kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën, i cili është pak më shumë se 1,000 km i gjatë.

Ekziston frika se nëse Rusia përpiqet të pushtojë Ukrainën, stërvitjet i vendosin trupat ruse pranë kryeqytetit ukrainas, Kiev, duke e bërë më të lehtë sulmin ndaj qytetit.

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko është një aleat i fortë i presidentit rus Vladimir Putin dhe të dy vendet kanë krijuar një të ashtuquajtur "Shtet Bashkimi" i cili përfshin integrimin ekonomik dhe ushtarak. Kremlini e mbështeti Lukashenkon pas zgjedhjeve të diskutueshme në vitin 2020 që çuan në protesta në Bjellorusi.