Botë

OBSH-ja flet me talebanët për krizën “e tmerrshme” shëndetësore në Afganistan

Descriptive Text

Kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka njoftuar të mërkurën se ka takuar ministrin e Shëndetësisë në qeverinë e udhëhequr nga talebanët në Afganistan, për bisedime mbi krizën shëndetësore dhe humanitare në këtë vend.

Ky takim midis Ghebreyesus dhe ministrit të shëndetësisë talebane, Qalander Ebad, i cili është pjesë e delegacionit taleban që aktualisht po viziton Zvicrën, u zhvillua të martën, raporton Al Jazeera.

Ebad po merr pjesë në një javë bisedimesh në Gjenevë me institucionet dhe agjencitë joqeveritare mbi aksesin humanitar dhe të drejtat e njeriut, derisa ekzekutivi i ri i Afganistanit po zgjeron angazhimin e tij ndërkombëtar.

Tedros ishte takuar edhe një herë me Ebadin gjatë vizitës së tij në Kabul në shtator të vitit 2021.

“Megjithë disa përmirësime që atëherë, situata shëndetësore në Afganistan është ende e rëndë dhe kriza akute humanitare po vazhdon të rrezikojë jetët”, tha Tedros.

Ai shtoi se diskutuan nevojat shëndetësore në vend, forcimin e sistemit, gatishmërinë për emergjenca dhe trajnimin e fuqisë punëtore shëndetësore, në të cilën gratë janë qendrore.

"Nevoja akute në Afganistan është të ofrojë diagnozë për të zbuluar virusin COVID-19, dhe në veçanti variantrin Omicron, pasi numri i rasteve është në rritje," tha Tedros.