Botë

Trudeau kërkon të ndalet protesta anti-vaksinë e kamionistëve në Kanada

Descriptive Text

Kryeministri i Kanadasë ka thënë se protesta e kamionistëve që ka paralizuar kryeqytetin Otava "duhet të ndalet".

Justin Trudeau ka thënë e kanadezët ishin "të tronditur dhe sinqerisht të neveritur" nga sjelljet e disa protestuesve, të cilat thuhet se kanë përfshirë vandalizëm dhe abuzim racor.

Drejtuesit e kamionëve janë mbledhur kundër rregullave të Kanadasë për vaksinën kundër COVID-19. Automjetet e tyre kanë bllokuar Otavan dhe është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme në qytet.

Për gati dy javë, qindra kamionë kanë bllokuar qendrën e qytetit, duke detyruar shumë biznese lokale të mbyllen. Banorët po shqetësohen edhe nga zhurma e vazhdueshme të borive. Të hënën, megjithatë, ata patën një fitore të vogël kur një gjykatës i Otavës vendosi që kamionistët duhet të ndalojnë së bërë zhurmë për 10 ditë.

Ndonëse shumica e protestës ka qenë paqësore, policia e Otavës ka thënë se është e shqetësuar për retorikën ekstremiste që vjen nga grupet e ekstremit të djathtë në tubim. Përveç abuzimeve racore dhe homofobike të raportuara, simbolet naziste janë shfaqur dhe protestuesit kanë kërcyer mbi Varrin e Ushtarit të Panjohur në Memorialin Kombëtar të Luftës.

Policia e Otavës ka thënë se janë duke hetuar më shumë se 60 incidente, duke përfshirë krimet e supozuara të urrejtjes dhe dëmtimin e pronës.

E ashtuquajtura “Konvoji i Lirisë” ka nisur më 9 janar në Kanadanë perëndimore, derisa kamionistët protestuan kundër rregullave të reja që kërkojnë vaksinimin kundër COVID-19 për ta kaluar kufirin SHBA-Kanada.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera kanadeze, përfshirë këtu Toronton dhe Vancouverin.