Botë

I burgosuri i torturuar që akuzohet lidhur me sulmin e 11 shtatorit, mund të lirohet

Autoritetet amerikane kanë rekomanduar lirimin e një të burgosuri me probleme të shëndetit mendor nga qendra e burgimit në Guantanamo dhe riatdhesimin e tij në Arabinë Saudite, sipas një dokumenti qeveritar.

I dyshuar si rrëmbyesi i 20-të i Al-Qaidas për sulmet e 11 shtatorit 2001, Mohammed al-Qahtani u torturua nga hetuesit në bazën ushtarake amerikane në Kubë, ku ai ka qenë i ndaluar për gati dy dekada.

Qeveria e ndali çështjen kundër tij në vitin 2008 për shkak të abuzimit që ai përjetoi në burg.

Mbajtja e al-Qahtanit "nuk është më e nevojshme si mbrojtje kundër një kërcënimi të vazhdueshëm për sigurinë e Shteteve të Bashkuara", tha bordi i rishikimit, një panel i përbërë nga disa agjenci të sigurisë kombëtare të SHBA-së, në një përmbledhje të vendimit të tij.

Në vendim thuhet se al-Qahtani mund të transferohet dhe të kthehet në Arabinë Saudite ku mund të marrë trajtim mendor dhe të rehabilitohet në qendrën për ekstremistët.

Ai ishte një nga të parët që u dërgua në burg në Guantanamo më 2002.

Tortura ndaj tij është dokumentuar gjerë dhe ka nxitur grupet për të drejtat e njeriut të reagojnë. Ai ka qenë subjekt i izolimit shumë të gjatë, privimit nga gjumi, poshtërimit seksual dhe abuzimeve të tjera, raporton Guardian.

Në janar, SHBA-ja aprovoi lirimin e pesë nga 39 burrave që gjenden ende në Guantanamo.

Dhjetë të tjerë, përfshirë ideatorin e pretenduar të sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed, po presin gjykimin nga një komision ushtarak.

Qendra e dënimit u krijua pas sulmeve 2001 për të mbajtur të dënuarit terroristë.