Botë

NATO e shqetësuar nga stërvitjet ruse në Bjellorusi

Foto: Reuters

Pas akuzave të Rusisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës të enjten për shtimin e tensioneve dhe injorimin e thirrjes së Moskës për të lehtësuar situatën me Ukrainën me dërgimin e rreth 3,000 trupave shtesë në Gjermani, Poloni e Rumani, NATO-ja ka shprehur shqetësimet se Rusia kishte shtuar dislokimet në fqinjin verior të Ukrainës, Bjellorusi gjatë ditëve të fundit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se kishte pasur një lëvizje të konsiderueshme të forcave ushtarake ruse në Bjellorusi së fundmi dhe sipas tij, pritet të vendosen 30,000 trupa atje për stërvitje të përbashkëta ushtarake këtë muaj.

"Kjo është dislokimi më i madh rus atje që nga Lufta e Ftohtë, me një pritshmëri prej 30,000 trupash luftarake, si dhe forcat e operacioneve speciale Spetsnaz, avionët luftarakë SU-35, sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 dhe raketat Iskander me aftësi bërthamore”, ka thënë ai, raporton Reuters.

Stërvitjet Rusi-Bjellorusi, që do të zgjasin deri më 20 shkurt, i kanë siguruar Moskës mbulim për të rritur më tej forcat pranë Ukrainës. Rusia i ka përshkruar stërvitjet si një provë për zmbrapsjen e agresionit të jashtëm dhe thotë se forcat e saj do të tërhiqen pas stërvitjeve.