Botë

Erdogani mbërrin në Kiev me shpresën që të jetë ndërmjetësues me Rusinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u prit me një ceremoni zyrtare nga homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Pallatin Marinskiy në kryeqytetin Kiev. Erdogan synon që të jetë ndërmjetësues i uljes së tensioneve mes Ukrainës dhe Rusisë në prag të shpërthimit të një lufte.

Erdogan, i cili me ftesë të presidentit Zelensky mbërriti në Ukrainë për të marrë pjesë në takimin e dhjetë të Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë midis dy vendeve, vendosi një kurorë me lule në Monumentin e Ushtarit të Panjohur në Kiev në kujtim të atyre që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore. Ai më pas kaloi në Pallatin Marinskiy.

Presidenti ukrainas Zelensky, presidentin Erdogan e priti në portën e pallatit. Të dy liderët biseduan për një kohë, ndërsa më pas kaluan në ceremoni ku u intonuan himnet kombëtare të të dyja vendeve.

Duke folur me gazetarët përpara se të nisej për në Ukrainë, Erdogan kishte thënë se Turqia po u bën thirrje të dyja palëve të kërkojnë dialog, duke shtuar se kriza duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore në bazë të ligjit ndërkombëtar.