Botë

OBSH: Evropa afër fazës së fundit të pandemisë

Descriptive Text

Drejtori i zyrës për Evropën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se kontinenti tani po shkon drejt “fundit të mundshëm” të valës së pandemisë dhe se numri i vdekjeve në rritje nga koronavirusi ka filluar të sheshohet.

Hans Kluge ka thënë se ka një “mundësi të vetme” për shtetet në Evropë që të marrin kontrollin e transmetimit të COVID-19 për shkak të tre faktorëve: niveli i lartë i imunizimeve për shkak të vaksinimeve, tendenca e virusit që të përhapet më pak në mot të ngrohtë dhe variantit Omicron që është më pak i rëndë se të tjerët, raporton AP.

“Kjo periudhë e mbrojtjes së lartë duhet të shihet si armëpushim që mund të na sjellë paqe të qëndrueshme”, ka thënë ai.

Kluge tha se pranvera “na lë me mundësinë për një periudhë të gjatë qetësie dhe nivel shumë më të lartë të mbrojtjes së popullsisë kundër ndonjë vale të infektimit”.

Edhe nëse vjen një valë tjetër, Kluge theksoi se autoritetet shëndetësore në Evropë duhet të jenë të afta ta mbajnë nën kontroll, duke ofruar imunizim dhe që përpjekjet për dozat përforcuese të vazhdojnë.