Botë

Rusia akuzon Amerikën për injorim të kërkesave

Descriptive Text

Teksa Moska dhe Perëndimi kanë heshtur për hapat e ardhshëm, NATO-ja ka përforcuar mbrojtjen në Detin Baltik, ndërsa SHBA-ja ka urdhëruar 8 mijë e 500 ushtarë që të jenë në gjendje gatishmërie për angazhim në Evropë

Rusia edhe të premten ka përsëritur qëndrimin se nuk do të nisë luftën me Ukrainën, por ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja kanë injoruar kërkesat e saj dhe kanë lënë pak hapësirë për kompromis në krizën e Ukrainës.

Presidenti Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se Perëndimi ka dështuar të shqyrtojë kushtet kyç të Rusisë për ndaljen e zgjerimit të NATO-s dhe tërheqjen e forcave të saj nga Evropa Lindore, ka deklaruar Kremlini.

SHBA-ja dhe NATO-ja zyrtarisht kanë refuzuar kërkesat e Rusisë, ani pse Washingtoni ka përmendur zonat në të cilat diskutimi është i mundshëm, duke ofruar shpresë se ka një mundësi për shmangien e luftës në periudhën kur janë tubuar 100 mijë ushtarë rusë në kufi me Ukrainën.

Përkundër kësaj, presidenti amerikan, Joe Biden, të enjten ka paralajmëruar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se ka shumë gjasa që Rusia të nisë veprime ushtarake ndaj Ukrainës në muajin shkurt. Ndërkaq, Rusia ka mohuar planet e tilla.

Zelensky ka tentuar të shmangë frikën për luftë, duke thënë se alarmi perëndimor në lidhje me pushtimin, ka nxitur investitorët që të tërhiqen nga tregu financiar i Ukrainës.

“Nuk na duhet ky panik. U kushton rëndë ukrainasve”, ka thënë presidenti Zelenskyy në një konferencë për media.

Putini i ka thënë Macronit se Moska do të analizojë përgjigjen e SHBA-së dhe NATO-s, para se të vendosë për vendimin e radhës. Më herët gjatë së premtes, Putini ka mbajtur një takim me Këshillin e Sigurisë, duke thënë se kanë adresuar çështje të politikës së jashtme.

Putini nuk ka bërë ndonjë deklarim publik në lidhje me përgjigjen e Perëndimit, por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se ofron pak mundësi për arritjen e një marrëveshjeje.

“Derisa ata nuk ndërrojnë pozicionet e tyre, as ne nuk do t’i ndërrojmë tonat”, ka thënë Lavrov në një intervistë për një radio të Rusisë. “Nuk shoh ndonjë hapësirë për kompromis”.

Propozimet e SHBA-së

Lavrovi ka thënë se SHBA-ja ka propozuar që dy palët mund të diskutojnë rreth kufizimit të raketave me rreze të mesme veprimi, kufizimin e ushtrimeve ushtarake dhe parandalimin e aksidenteve midis luftanijeve dhe aeroplanëve. Ai ka thënë se Rusia i kishte propozuar këto çështje shumë vjet më parë, por Washingtoni kurrë nuk i ka dëgjuar deri më tani.

Washingtoni ia ka tërhequr vërejtjen Moskës se e presin sanksione të rënda nëse e pushton Ukrainën, përfshirë sanksionet ndaj zyrtarëve të lartë dhe sektorëve kyç të ekonomisë. I pyetur rreth mundësisë së sanksioneve, Lavrov ka thënë se Moska ka paralajmëruar me shkëputje të marrëdhënieve.

Teksa Moska dhe Perëndimi kanë heshtur për hapat e ardhshëm, NATO-ja ka përforcuar mbrojtjen në Detin Baltik, ndërsa SHBA-ja ka urdhëruar 8 mijë e 500 ushtarë që të jenë në gjendje gatishmërie për angazhim në Evropë.

Rusia në ditët e fundit ka mbajtur disa ushtrime ushtarake të artilerisë së rëndë, përfshirë luftanijet në Kaliningrad në brigjet e Detit Baltik. Ushtria ruse është nisur së fundmi drejt Bjellorusisë për ushtrime të përbashkëta, duke nxitur frikën e Perëndimit se Moska do të nisë sulmin nga veriu. Kryeqyteti i Ukrainës është vetëm 75 kilometra larg nga kufiri me Bjellorusinë.

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë se nuk do të ketë luftë vetëm nëse Bjellorusia dhe Rusia sulmohen dhe ka akuzuar Perëndimin se po i çon në vëllavrasje sllavët.

“Liderët e disa shteteve janë çmendur, mendojnë se mund të fitojnë këtë luftë. Por nuk do të ketë fitues, sepse do të humbim të gjithë”, ka thënë Lukashenko.

Frika e Ukrainës

Përkundër retorikës së thellë, zyrtarët ukrainas vazhdimisht kanë tentuar ta qetësojnë situatën.

Zelensky ka thënë se vendimi i SHBA-së, Britanisë, Australisë, Gjermanisë dhe Kanadasë, për t’i tërhequr diplomatët nga Ukraina, ka qenë një gabim.

“Këta ishin hapa të gabuar që nuk kanë ndihmuar”, ka thënë presidenti ukrainas.

Ai ka argumentuar se destabilizimi i brendshëm përbën rrezikun më të madh për vendin. Ai gjithashtu u ankua për dështimin e NATO-s për t'i ofruar Ukrainës një udhërrëfyes drejt anëtarësimit, duke thënë se aleanca duhet të deklarojë qartë nëse nuk planifikon të anëtarësojë Ukrainën dhe të mos ofrojë premtime të paqarta.

“Ju e thoni hapur se nuk do të na pranoni kurrë. Pse të flasim për të ardhmen?”, ka thënë presidenti ukrainas.

Zelenskyy sfidoi paralajmërimet e SHBA-së për një sulm të afërt rus, duke këmbëngulur se “ne nuk po shohim ndonjë përshkallëzim më të madh se më parë” dhe ka akuzuar se përqendrimi i trupave ruse mund të jetë pjesë e përpjekjeve të Moskës për të ushtruar “presion psikologjik” dhe për të ndjellë panik.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, ka thënë në Parlament se numri i trupave ruse pranë Ukrainës – rreth 130.000 – është i krahasueshëm me ngritjen ushtarake të Moskës pranverën e kaluar, kur Moska përfundimisht tërhoqi forcat e saj pas stërvitjeve masive.

“Ne nuk kemi vërejtur ndonjë ngjarje apo veprim të karakterit ushtarak që ndryshon dukshëm nga ajo që po ndodhte pranverën e kaluar”, me përjashtim të vendosjes në Bjellorusi, ka thënë Reznikov.

Ukraina tashmë është e rrethuar nga konflikti. Pas rrëzimit të një presidenti të afërm me Kremlinin në Kiev në vitin 2014, Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një kryengritje në zemrën industriale lindore të vendit, Donbassin. Luftimet midis forcave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia kanë vrarë mbi 14.000 njerëz dhe përpjekjet për të arritur një zgjidhje kanë ngecur.

Gjatë telefonatës të së premtes me Macronin, Putini foli në favor të vazhdimit të bisedimeve për një marrëveshje paqeje të ngecur për Ukrainën Lindore midis Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë. Të dërguarit presidencialë nga të katër vendet u takuan të mërkurën në Paris dhe ranë dakord për një takim tjetër në Berlin pas dy javësh.

Një zyrtar francez e përshkroi bisedën midis Putinit dhe Macronit si serioze dhe respektuese, duke folur për “domosdoshmërinë e depërshkallëzimit”. Udhëheqësi rus nuk bëri asnjë lëshim.