Botë

Paralajmërohen sanksione për përçarësit e Bosnjës

Descriptive Text

Udhëheqësi serb i Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik

Me taktikat e përkrahura nga Rusia dhe Serbia, Dodiku së fundmi ka ashpërsuar fushatën e tij përçarëse, duke nxitur serbët të largohen nga institucionet e Bosnjës dhe formimin e një sistemi të pavarur serb. Kjo ka nxitur frikën se Bosnja mund të përfshihet në një luftë të re

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuara në Bosnjë dhe do të vendosin sanksione ndaj individëve të përfshirë në korrupsion dhe në ndarjen e shtetit ballkanik, që kurrë nuk është këndellur nga lufta e viteve 1992-1995.

Samantha Power, administratore e Agjencisë amerikane për zhvillime ndërkombëtare, ishte zyrtarja e parë e SHBA-së që vizitoi Bosnjën pas vendosjes së sanksioneve ndaj liderit serb Milorad Dodik.

Ajo ka paralajmëruar sanksione kundër zyrtarëve, si Dodiku, të zhytur në korrupsion dhe që kanë kërcënuar se do ta minojnë marrëveshjen amerikane të paqes për Bosnjën.

Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë, mundësoi formimin e dy entiteteve qeverisëse – një që drejtohet nga serbët e Bosnjës dhe tjetra nga boshnjakët dhe kroatët. Këto dy institucione janë të ndërlidhura dhe të gjitha veprimet në nivelin kombëtar kërkojnë konsensusin e tri grupeve etnike.

“Presidenti Biden më ka kërkuar të bëjë këtë udhëtim me qëllim që të shpërndaj mesazhin që shpresoj se do të dëgjohet në të gjithë vendin. Ky mesazh është se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e Bosnjë-Hercegovinës dhe se SHBA-ja është duke shikuar e shqetësuar rreth krizës politike”, ka shtuar ajo.

“E dimë rëndësinë e sanksioneve dhe ndikimin që ato kanë ndaj individëve në udhëtimet dhe reputacionin e tyre.. në lidhje me pyetjen nëse SHBA-ja është duke menduar për më shumë sanksione, përgjigja është po”, ka thënë Power.

Në fillim të muajit janar, Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, vendosi sanksione ndaj Dodikut, i cili në vitet e fundit ka bërë thirrje për ndarjen e pjesës serbe nga Bosnja dhe bashkimin me Serbinë. Zyrtarja amerikane ka thënë se Dodiku ka krijuar një klimë të tensioneve që kanë rrezik të përshkallëzohen.

Mirëpo, sipas saj, SHBA-ja me shqetësim shumë të madh është duke përcjellë krizën politike në Bosnjë.

Power ka folur në fund të vizitës treditore në Bosnjë. Gjatë këtij udhëtimi, ajo është takuar me anëtarët e presidencës shumetnike, që përveç Dodikut, përfshin edhe zyrtarët boshnjakë dhe kroatë.

Pas takimit me Powerin, Dodiku ka përsëritur qëndrimet e tij se padrejtësisht është sanksionuar nga SHBA-ja.

Me taktikat e përkrahura nga Rusia dhe Serbia, Dodiku së fundmi ka ashpërsuar fushatën e tij përçarëse, duke nxitur serbët të largohen nga institucionet e Bosnjës dhe formimin e një sistemi të pavarur serb. Kjo ka nxitur frikën se Bosnja mund të përfshihet në një luftë të re.

Ditë më parë, zv. ndihmëssekretari i Shtetit dhe i dërguari special për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka thënë se sanksionet nuk janë mjeti kryesor i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, por ato kanë efekt dhe do të ketë edhe të tjera në vazhdim.