Botë

Ndotja nga plastika ka nevojë për trajtim urgjent, thotë raporti i fundit

Descriptive Text

Ndotja nga plastika është një emergjencë globale që ka nevojë për një traktat të fortë të OKB-së, thuhet në një raport të fundit.

Agjencia e Hetimit të Mjedisit (EIA) thotë se ka një moti të provave të dëmtimit që po shkakton plastika. Kjo agjenci argumenton se kërcënimi i ndotjes plastike është pothuajse i barabartë me ndryshimin e klimës.

Sipas EIA-së, ajri që thithin njerëzit tani përmban mikro grimca plastike, pastaj ka plastikë në borën e Arktikut, plastikë në tokë dhe plastikë në ushqimin e njerëzve.

Është raportuar, për shembull, se rreth 20 elefantë në Tajlandë kanë ngordhur pasi kanë ngrënë mbetje plastike nga një deponi plehrash.

Autorët e raportit u bëjnë thirrje vendeve që të bien dakord për një traktat të OKB-së me objektiva detyruese për reduktimin e prodhimit dhe mbetjeve plastike.

"Ka një orë vdekjeprurëse që numëron me shpejtësi mbrapsht”, ka thënë Tom Gammage i EIA-s.

"Nëse kjo valë e ndotjes vazhdon e pakontrolluar, plastika e parashikuar në dete, deri në vitin 2040 mund të tejkalojë peshën kolektive të të gjithë peshqve në oqean”, ka shtuar ai.

Kombet e Bashkuara kanë identifikuar tri kërcënime ekzistenciale mjedisore: ndryshimin e klimës, humbjen e biodiversitetit, dhe ndotjen, dhe kanë arritur në përfundimin se ato duhet të trajtohen së bashku.

Marrëveshjet shumëpalëshe për humbjen e biodiversitetit dhe klimës kanë ekzistuar për gati 30 vjet, megjithëse ato nuk kanë arritur të ndalojnë emetimet e CO2 ose të mbrojnë botën natyrore. Mirëpo, ideja e një traktati të dedikuar të plastikës është kundërshtuar nga disa kombe vitet e fundit.

Por më shumë se 100 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, thuhet se favorizojnë një traktat që do të propozohet në Asamblenë e ardhshme të Mjedisit të OKB-së në shkurt dhe mars.

Burimet thonë se opozita e drejtpërdrejtë po dobësohet, megjithëse ka një mosmarrëveshje se sa i rreptë duhet të jetë traktati dhe nëse ai duhet të jetë ligjërisht i detyrueshëm apo vullnetar.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka njoftuar se SHBA-ja tani mbështetë një marrëveshje globale, e cila më parë ishte kundërshtuar nga ish-presidenti Donald Trump.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse ai mund të fitojë miratimin nga Kongresi, pasi shumica e plastikës janë bërë nga nafta dhe gazi, dhe ato të dyja prodhohen në SHBA.