Botë

As kriza e Ukrainës nuk e bashkon Perëndimin kundër Putinit

Shtetet e Bashkuara thonë se sjellja e Moskës ndaj Ukrainës do të luajë rol vendimtar në fatin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që synon të transportojë gazin natyror nga Rusia në Gjermani. Por, Gjermania të enjten paralajmëroi kundërshtime ndaj çfarëdo lidhjeje midis gazsjellësit dhe tensioneve ruse. "Unë mendoj se evropianët do të ishin të bashkuar pas sanksioneve serioze në rast të një pushtimi rus në shkallë të plotë", tha për Reuters Anatol Lieven, studiues i lartë

Një javë me përpjekje diplomatike nga ana e presidentit amerikan, Joe Biden, nuk ia ka dalë të qetësojë tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës, por megjithatë, ka ruajtur unitetin me aleatët evropianë kundër Moskës, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të ekspozojë çarjet, thonë analistët e politikës së jashtme, shkruan në një analizë të gjatë të agjencisë Reuters.

Hesapet e gabuara të Putinit

Më tej shkruan se pasi ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përçmoi hapur NATO-n dhe u largua nga Evropa duke vënë në pikëpyetje angazhimin e Uashingtonit ndaj Aleancës, disa analistë thonë se Putini dukej se po testonte deklaratën e Bidenit se "Amerika është kthyer" në skenën botërore.

"Ai ndoshta po mbështetet në ndarjet e Perëndimit", tha për Putinin ish-diplomati veteran amerikan, Daniel Fried, i cili u mor me reagimin ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014. "Ai do të vazhdojë ta shtyjë këtë dhe gjërat mund të përkeqësohen. Por nëse do të ishim thyer (këtë javë), do të ishte shumë më keq”, ka shtuar ai për Reuters.

Rusia nuk u largua nga takimet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane këtë javë, por bisedimet përfunduan me zyrtarët amerikanë që paralajmëruan se rreziku i pushtimit rus të Ukrainës mbetet i lartë pa asnjë shenjë se Moska do të tërheqë rreth 100.000 trupa pranë kufirit ukrainas në kazermat e saj.

Rusia mohon se planifikon të sulmojë Ukrainën, por thotë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara ushtarake nëse nuk plotësohen kërkesat e saj – përfshirë një premtim nga aleanca e NATO-s për të mos pranuar kurrë Ukrainën.

Putini tregon muskujt ushtarakë

Bideni mori detyrën në janar 2021 duke bërë thirrje për lidhje "të parashikueshme" me Rusinë dhe duke minimizuar ndikimin global të Moskës.

"Ka pasur një nënvlerësim sistematik (në Uashington) të aftësisë së Rusisë për t’i prishur gjërat", tha Tom Schwartz, profesor i historisë, shkencave politike dhe studimeve evropiane në Universitetin Vanderbilt, raporton Reuters.

Por, Putini tregoi muskujt ushtarakë, duke lëvizur trupat dhe pajisjet ushtarake afër kufirit të Rusisë me Ukrainën gjatë vitit të kaluar dhe duke nxitur diplomacinë e intensifikuar të SHBA-së me Moskën.

Putini nuk do ta linte veten "të zhvlerësohej" nga Uashingtoni, tha Schwartz, duke shtuar se lideri rus po përpiqej të demonstronte se "rendi ndërkombëtar i udhëhequr nga Amerika është me të vërtetë mjaft i brishtë tani. Është një moment testimi".

Përpjekja e Bidenit për të rindërtuar lidershipin e SHBA-së globalisht u pengua gjithashtu nga tërheqja kaotike e trupave amerikane nga Afganistani në gusht që e shtyu Bashkimin Evropian të shqyrtonte mundësinë për t'u bërë më i pavarur nga ushtria amerikane.

“Krejt bashkë”

Kur u pyet nëse administrata Biden u përball me ndonjë boshllëk të krijuar nga Trumpi në mesin e aleatëve të NATO-s, një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se nuk kishte "mungesë uniteti apo besimi midis aleatëve të NATO-s".

"Ne jemi të gjithë bashkë në këtë dhe ata i janë përgjigjur shumë mirë qasjes së administratës, qasja e së cilës padyshim se nuk ka kuptim pa Evropën,, pa NATO-n", tha zyrtari për Reuters.

Bideni është përballur me dyshime të vazhdueshme për besueshmërinë e Amerikës si partner. Udhëheqësit e grupit të shtatë ekonomive të përparuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian janë të shqetësuar për lavjerrësin e politikës amerikane që lëkundet sërish.

Ndërsa ishte në detyrë, Trumpi kërcënoi se do të tërhiqej nga NATO-ja dhe akuzoi evropianët se kanë kontribuuar shumë pak në mbrojtjen e tyre.

Edhe pse Bideni u zotua të vazhdojë të japë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe të rrisë mbështetjen nëse Rusia e pushton, përgjigjja e Uashingtonit ka qenë pothuajse tërësisht diplomatike dhe Perëndimi nuk është në gjendje të mbrojë Ukrainën ushtarakisht, vlerëson Reuters.

Përpjekja kryesore për të penguar një pushtim rus është një kërcënim i SHBA-së për sanksione "të pashembullta", duke përfshirë kontrollet e eksportit dhe masat që synojnë sistemin financiar të Rusisë.

Megjithatë, ka çarje

Zyrtarët amerikanë kanë kaluar javë të tëra duke u përpjekur të sigurojnë që Evropa të sinkronizohet me reagimin e planifikuar të Uashingtonit për sanksionet, por nuk është arritur një marrëveshje e qartë se cilat sanksione specifike do të vendosen.

Ndërsa Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Rusisë kur aneksoi Krimenë e Ukrainës në vitin 2014, blloku ka treguar ndarje mbi mënyrën se si të merret me Moskën, e cila përbën një të tretën e importeve të gazit nga BE-ja.

Shtetet e Bashkuara thanë se sjellja e Moskës ndaj Ukrainës do të luajë rol vendimtar në fatin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që synon të transportojë gazin natyror nga Rusia në Gjermani. Por, Gjermania të enjten paralajmëroi kundërshtime ndaj çfarëdo lidhjeje midis gazsjellësit dhe tensioneve ruse.

"Unë mendoj se evropianët do të ishin të bashkuar pas sanksioneve serioze në rast të një pushtimi rus në shkallë të plotë", tha Anatol Lieven, studiues i lartë në Institutin Quincy për Shtetin e Përgjegjshëm.

"Nëse është diçka më pak se (pushtimi) - duhet të mbahet mend se Amerika nuk varet nga Rusia për gaz, por varet Evropa”, tha Lieven.