Botë

Treni del nga shinat në Indi, të paktën 9 të vdekur e 36 të lënduar

Descriptive Text

Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur dhe 36 të tjerë të lënduar pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në shtetin e Bengalit Perëndimor të Indisë, të enjten vonë, sipas operatorit hekurudhor.

Zëdhënësi i Hekurudhave Indiane Rajesh Bajpai, ka thënë se katër nga 12 vagonët në trenin ekspres ndërshtetëror dolën nga binarët në distriktin Jalpaiguri të shtetit.

"Duket sikur nuk ka më njerëz të bllokuar në vagona”, ka thënë një tjetër zëdhënëse e hekurudhave, Gurmeet Kaur.

“Punëtorët po rivendosnin shinën për të lejuar kalimin e trenave të tjerë”, ka shtuar ajo.

Vlerësimet fillestare sugjerojnë se kishte një çarje në shina.

Kryeministri indian Narendra Modi ka shkruar në Twitter të enjten se "mendimet e tij janë me familjet e viktimave" dhe u uroi të lënduarve një shërim të shpejtë.

Rrjeti i gjerë hekurudhor i Indisë vuan nga plakja e infrastrukturës dhe mirëmbajtja e dobët – faktorë që shpesh janë përgjegjës për aksidentet.

Në vitin 2020, gati 12,000 njerëz u vranë në më shumë se 13,000 aksidente treni në të gjithë vendin, sipas një raporti të vitit të kaluar nga Byroja Kombëtare e Regjistrimeve të Krimit (NCRB).

Një nga incidentet më vdekjeprurëse të viteve të fundit ndodhi në nëntor të vitit 2016, kur më shumë se 140 njerëz vdiqën pasi disa vagona treni dolën nga shinat, në shtetin verior Uttar Pradesh.