Botë

Pandemia ngriti numrin e shtatzënive të nxënëseve

Virginia është pjesë e ngritjes së madhe të shtatzënive midis vajzave dhe adoleshentëve të raportuar në Zimbabve dhe vende të tjera të Afrikës Jugore gjatë pandemisë. Zimbabveja i ka luftuar prej kohësh shtatzënitë e tilla dhe martesat e fëmijëve

Murehva, Zimbabve (AP) - Brenda shtëpisë me dy dhoma të mobiluara pak në Zimbabvenë rurale, një foshnjë 3-muajshe qan, derisa nëna Virginia Mavhunga i kalon ditët duke shkuar deri te pusi me një kovë në kokë, duke shitur fruta dhe perime buzë rrugës, apo duke gatuar, pastruar e larë rroba - ajo i ka tepër të zëna duart për t'i ofruar fëmijës së saj, Tavananyasha, më shumë rehati.

Rutina e stërmundimshme

"Kjo është jeta ime tani, çdo ditë", thotë nëna e re.

Midis punëve të rutinës së saj të rreptë, Virginia përgatit katër vëllezërit e motrat e saj më të vegjël për shkollë dhe i ndihmon ata me detyrat e shtëpisë kur të kthehen. Janë këto detyra që e munduan më së shumti Virgininë – sepse, në moshën 13-vjeçare, edhe ajo do të preferonte të ishte në shkollë.

Virginia është pjesë e ngritjes së madhe të shtatzënive midis vajzave dhe adoleshentëve të raportuar në Zimbabve dhe vende të tjera të Afrikës Jugore gjatë pandemisë. Zimbabveja i ka luftuar prej kohësh shtatzënitë e tilla dhe martesat e fëmijëve. Para se të godiste COVID-19, një në çdo tri vajza në vend martohej para moshës 18 vjeçe, shumë me shtatzëni të paplanifikuara, për shkak të zbatimit të dobët të ligjeve, varfërisë së përhapur dhe praktikave kulturore dhe fetare.

Përhapja e koronavirusit e intensifikoi situatën. Vendi prej 15 milionë banorësh vendosi bllokim të rreptë në mars 2020, duke mbyllur shkollat ​​për gjashtë muaj dhe duke i rihapur ato vetëm me ndërprerje. Veçanërisht vajzat mbetën të papuna dhe pa qasje në kontraceptivë dhe klinika; problemet e familjeve të varfra u përkeqësuan.

Shumë vajza u bënë viktima të abuzimit seksual ose e shikonin martesën dhe shtatzëninë si një rrugëdalje nga varfëria, thanë avokatët dhe zyrtarët. Përpara pandemisë shumë vajza të tilla “u kthyen në kauzë të humbur", tha Taungana Ndoro, zyrtare arsimore në Zimbabve.

Por përballë numrit në rritje qeveria në gusht 2020 ndryshoi ligjin që i kishte ndaluar prej kohësh nxënëset shtatzëna nga shkollat. Aktivistët dhe autoritetet e përshëndetën masën si një hap të rëndësishëm në vendin në zhvillim, por deri më tani politika e re ka dështuar. Shumica e vajzave nuk janë kthyer në shkollë, me autoritetet dhe familjet që përmendin vështirësitë ekonomike, normat e thella kulturore, stigmën dhe ngacmimin në klasë.

“Çfarë ka me atë barkun?”

Virginia u përpoq të kthehej në shkollë, ndërsa ishte shtatzënë nën ndryshimin e politikës. Zyrtarët e inkurajuan atë dhe prindërit e saj. Por ajo ishte objekt thashethemesh e talljesh në një komunitet që nuk ishte mësuar të shihte një vajzë shtatzënë me uniformë shkolle.

“Njerëzit do të qeshin me mua. Disa do të tregonin dhe do të pyesnin me tallje: ‘Çfarë ka me atë barkun?’”, tha ajo duke parë një foto të saj me uniformë. Që atëherë e ka shitur atë për 2 dollarë për të paguar për veshjet dhe nevojat e tjera të foshnjës.

Virginia tha se kishte shpresuar që burri i moshuar do të martohej me të. Pavarësisht premtimeve fillestare, ai në fund e mohoi atësinë. Ajo dhe familja nuk hapën rast ligjor përdhunimi në polici, pavarësisht se ligji i Zimbabvesë vendos moshën e pëlqimit nën 16 vjeç.

Sipas ligjit, personat e dënuar për marrëdhënie seksuale ose "një akt të pahijshëm" me këdo më të ri se 16 vjeç mund të gjobiten deri në 10 vjet burg. Por shumica e incidenteve nuk arrijnë kurrë kaq larg. Familjet dhe zyrtarët janë përpjekur prej kohësh "të fshijnë rastet nën qilim ose ... të detyrojnë martesat mbi të miturën", tha zëdhënësi i policisë, Paul Nyathi.

Familjet shpesh përpiqen të negociojnë me shkelësin, duke bërë presion që të martohet me vajzën dhe t'i japë familjes së saj bagëti ose para, tha Nyathi. Më pas ata bien dakord të mos e raportojnë rastin në polici – në fund të fundit “duke ndihmuar në abuzimin e vajzës”, tha ai.

Policia tha se nuk mund të siguronte të dhëna në lidhje me rastet e ndjekura ose të raportuara. Nyathi tha se një shifër do të ishte gati deri në fund të janarit - por çdo shifër ka të ngjarë të jetë një numër i vogël.

Zimbabveja ka shifra për shtatzënitë e vajzave që braktisin shkollën – dhe ndërkohë që ato tregojnë një rritje alarmante, zyrtarët thonë se edhe ato ka të ngjarë të reflektojnë një numër të vogël, pasi shumë vajza thjesht largohen pa dhënë arsye.

Në vitin 2018, rreth 3000 vajza e braktisën shkollën në mbarë vendin për shkak të shtatzënive. Në vitin 2019 ky numër mbeti relativisht i qëndrueshëm. Në vitin 2020, numri u rrit: 4.770 nxënëse shtatzëna lanë shkollën. Andaj autoritetet thonë se po bëjnë çmos që të kthejnë sa më shumë vajza në shkollë, sepse gjatë mbylljes pandemike shumë prej tyre u martuan ose u keqtrajtuan seksualisht, duke i detyruar të heqin dorë prej ëndrrave dhe të bëhen nëna të mitura.