Botë

Një agjente kineze është infiltruar në Parlamentin britanik

Descriptive Text

Shërbimi sekret britanik MI5 ka lëshuar një paralajmërim të rrallë për deputetët se një agjente kineze është infiltruar në Parlament për të ndërhyrë në politikën e Britanisë së Madhe.

Një alarm nga shërbimi i sigurisë ka thënë se Christine Ching Kui Lee "krijoi lidhje" për Partinë Komuniste Kineze (CCP) me deputetë aktualë.

Më pas ajo u dha donacione politikanëve, me financime që vinin nga shtetas të huaj në Kinë dhe Hong Kong.

Paralajmërimi vjen pas një hetimi "të rëndësishëm dhe afatgjatë" nga MI5, thanë burimet për BBC.

Një nga deputetët e financuar nga Lee ishte Barry Gardiner nga laburistët, i cili mori mbi 420 mijë funte prej saj në pesë vjet.

Por Gardiner ka thënë se ai gjithmonë e kishte vënë në dijeni MI5 për donacionet.

Shërbimi i sigurisë shtoi se kushdo i kontaktuar nga Lee duhet të jetë "i ndërgjegjshëm për përkatësinë e saj" dhe "përgjegjësinë e saj për të çuar përpara agjendën e Partisë Komuniste Kineze".