Botë

Moska zyrtare: Asnjë lëshim në bisedimet me SHBA-në për Ukrainën

Rusia njofton se nuk do të bëjë asnjë lëshim në bisedimet e kësaj jave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi krizën e Ukrainës dhe do të mbajë qëndrim të njëjtë për kërkesat e saj për garancitë e sigurisë perëndimore.

Moska zyrtare mban qëndrim të ashpër përpara bisedimeve me SHBA-në që pritet të mbahen në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë.

“Nuk mund të përjashtoj asgjë, ky është një skenar krejtësisht i mundshëm dhe amerikanët nuk duhet të kenë iluzione për këtë. Natyrisht, ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim nën presion dhe në rrjedhën e kërcënimeve që po formohen vazhdimisht nga pjesëmarrësit perëndimorë në bisedimet e ardhshme”, citohet të ketë thënë zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, raporton agjencia e lajmeve RIA.

Siç raportohet, Ryabkov, i cili do të drejtojë delegacionin rus në Gjenevë, ka thënë se Moska nuk është optimiste në shkuarjen në negociata me Shtetet e Bashkuara.

Dhjetëra mijëra trupa ruse janë mbledhur pranë kufirit me Ukrainën në përgatitje për atë që Uashingtoni dhe Kievi thonë se mund të jetë një pushtim, tetë vjet pasi Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.