Botë

Një burrë në Britani infektohet me grip të shpezëve

Në Britani është regjistruar rasti i parë i infeksionit të një njeriu me grip të shpezëve, raporton “The Sun”.

Sëmundja shpesh gjendet tek shpezët, por rrallë përhapet te njerëzit.

Deri tash nuk ka pasur raste të dokumentuara të infeksionit të njerëzve me grup të shpezëve në Britani.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, niveli i fatalitetit tek njerëzit është rreth 53 për qind.

Një burim ka thënë për “The Sun” se burri nga South West, ka rezultuar pozitiv pas një testimi rutinor, që ishte bërë shkaku i përhapjes së infeksionit në tufën e tij të shpezëve.

Testet laboratorike kanë treguar se ai është infektuar me një lloj H5 të virusit të gripit të shpezëve, me shumë gjasë me llojin H5N1.

Ai aktualisht gjendet në shtëpi i izoluar dhe burime thonë se janë gjurmuar kontaktet dhe nuk ka dëshmi për transmetim të mëtutjeshme të virusit.

“Rreziku për publikun është shumë i ulët. Rasti është zbuluar si pjesë e sistemeve tona të mbikëqyrjes të vendosura rreth gripit të shpezëve, pasi është diçka që duhet ta marrim seriozisht”, është thënë nga burimi brenda Qeverisë.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Britani, asnjë njeri në Britani nuk është infektuar me një nga llojet kryesore të gripit të shpezëve – H5N1, H7N9, H5N6 apo H5N8.

Por, ka raste të llojeve tjera më tepër se një dekadë më parë.

Britania aktualisht po përballet me përhapjen më të madhe të rasteve me grip të shpezëve.