Botë

Shpërthimi i bojlerit në fabrikë lë 6 të vdekur në Indi

Një bojler i fabrikës shpërtheu në Indinë lindore të dielën, duke lënë të vdekur të paktën gjashtë punëtorë dhe duke plagosur gjashtë të tjerë, njoftoi Policia.

Ekipet e shpëtimit po kërkonin ndonjë punonjës që ka mundur të jetë i bllokuar në rrënojat e fabrikës që prodhonte gjëra ushqimore në një zonë industriale në veri të Patna, kryeqyteti i shtetit Bihar.

Shkaku i shpërthimit në Muzaffarpur është duke u hetuar, ka thënë oficeri i policisë Ram Naresh Paswan. Ai shtoi se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet pasi katër nga të plagosurit janë në gjendje kritike.

Paniku përfshiu zonën ndërsa shpërthimi i fuqishëm tronditi dhe dëmtoi shtëpi dhe fabrika në zonën industriale Bela, thanë mediat.

Standardet e dobëta të sigurisë janë një shkak i shpeshtë i zjarreve dhe shpërthimeve në Indi.

Vitin e kaluar, një zjarr i madh dhe një shpërthim i fuqishëm tronditi një magazinë që ruante kimikate, duke lënë të vdekur 12 njerëz pranë Ahmedabad në shtetin perëndimor të Gujarat.