Botë

Paqartësi në linjat e udhëtimeve nëpër botë

Eksperti amerikan i sëmundjeve ngjitëse, Anthony Fauci, ka tërhequr vërejtjen gjatë javës se udhëtimet për Kërshëndella do të nxisin përhapjen e variantit të ri edhe në mesin e të vaksinuarve plotësisht. Të premten, kompanitë ajrore të SHBA-së kanë thënë se kanë mungesë të madhe të stafit për shkak se ekipet janë testuar pozitivë ose janë detyruar të izolohen

Miliona njerëz po përballen me vështirësi në fluturime dhe ashpërsim të masave kundër COVID-19 për Kërshëndella, teksa varianti Omicron ka nxitur anulimin e mijëra fluturimeve.

Italia, Spanja dhe Greqia tashmë e kanë kthyer masën e mbajtjes së maskave në hapësirat e jashtme. Katalonja, në veri të Spanjës, ka vendosur orën policore gjatë mesnatës, ndërsa Holanda është në izolim total.

Ani pse hulumtimet e reja kanë treguar se Omicroni është më i lehtë sesa variantet e mëparshme, shkencëtarët janë të shqetësuar për numrin e madh të rasteve me këtë variant.

Numri i rasteve është ngritur ndjeshëm në Britani të Madhe, Francë dhe Itali. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri ditor i rasteve me Omicron është ngritur me të madhe.

“Kur të kemi miliona njerëz të infektuar në të njëjtën kohë, nuk do të duhet një përqindje e madhe e këtyre të infektuarve që të shtrihen në spitale”, ka thënë Hallie Prescott, profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Michiganit.

Eksperti amerikan i sëmundjeve ngjitëse, Anthony Fauci, ka tërhequr vërejtjen gjatë javës se udhëtimet për Kërshëndella do të nxisin përhapjen e variantit të ri edhe në mesin e të vaksinuarve plotësisht.

Të premten, kompanitë ajrore të SHBA-së kanë thënë se kanë mungesë të madhe të stafit për shkak se ekipet janë testuar pozitivë ose janë detyruar të izolohen.

“United Airlines” ka bërë të ditur se numri i rasteve me Omicron ka ndikuar direkt në staf dhe njerëzit që kryejnë fluturimet.

Sipas uebfaqes për kontrollin e fluturimeve, qindra fluturime brenda SHBA-së janë anuluar për 24 dhjetor.

SHBA-ja ka hequr masat e udhëtimit për tetë shtetet afrikane shkaku i shqetësimeve për variantin Omicron.

Udhëtarëve nga Afrika e Jugut, Botswana, Zimbabwe, Namibia, Lesotho, Eswatini, Mozambiku dhe Malawi që prej 29 nëntorit u ishin ndaluar udhëtimet.

Edhe në Australi, qindra udhëtime festive janë anuluar për shkak të variantit Omicron. Një zëdhënës i Jetstar, përgjegjëse për anulimin e qindra fluturimeve, ka sqaruar se kompania ajrore ka riaranzhuar fluturimet me qëllim që udhëtarët të mbërrijnë me kohë për Kërshëndella.

Përkundër paqartësive, mijëra australianë do të festojnë faktin se mund të udhëtojnë mes shteteve për festat e fundvitit për herë të parë në dy vjetët e fundit.

Vendimi është bërë në javën kur Australia ka thënë se do të ulë periudhën e pritjes mes vaksinës së dytë dhe përforcueses në katër muaj nga 4 janari. Në fund të muajit, kjo distancë mes vaksinave do të shkrihet në tre muaj.

Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Britania e Madhe kanë shkrirë kohën mes dozave gjatë muajit dhjetor.

Në Britani, shtet në të cilin Omicroni ka shkaktuar më së shumti tollovi në udhëtimet me trena, kryeministri Boris Johnson ka përdorur mesazhin e Kërshëndellave për t’u bërë thirrje njerëzve që të marrin edhe dozën përforcuese.