Botë

Gjermania regjistron vdekjen e parë nga Omicroni

Descriptive Text

Gjermania ka regjistruar vdekjen e parë si pasojë e variantit Omicron të COVID-19 të enjten e 23 dhjetorit.

Sipas organit shëndetësor të Institutit Robert Koch, personi që vdiq ishte i moshës mbi 60 vjeç.

Një numër i madh i infeksioneve me këtë variant të virusit është shënuar në Gjermani gjatë ditëve të fundit.

Deri më tani, tre mijë e 198 raste të Omicronit janë regjistruar në këtë vend - me një rritje të rasteve prej 25% nga e mërkura deri të enjten. Nga këto raste të shënuara, 48 persona po trajtohen në spital.

Njoftimi vjen pasi ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, u shpreh se pret një rritje të rasteve nga varianti rreth Vitit të Ri.

Gjermania do të miratojë kufizime të reja duke filluar nga 28 dhjetori për të frenuar përhapjen e infeksionit. Këto masa përfshijnë kufizimin e tubimeve private në maksimum 10 persona dhe mbylljen e klubeve të natës dhe diskove.

Varianti Omicron po ndikon edhe në ekonominë gjermane. Linja ajrore kombëtare gjermane Lufthansa njoftoi të enjten se do të ulë orarin e saj të fluturimeve dimërore me “rreth 10 për qind” për shkak të “rënies së rezervimeve”.