Botë

Bennett: Ka filluar vala e pestë e pandemisë në Izrael

Descriptive Text

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka thënë se ka nisur vala e pestë e infeksionit me COVID-19 në Izrael, shkaku i variantit të ri Omicron.

Bennett ka paralajmëruar, ndërsa Qeveria e Izraelit ka shtuar SHBA-në, Kanadanë dhe disa shtete tjera evropiane në listën e kuqe, raporton BBC. 

“Tri javë më parë, paralajmërova qytetarët e Izraelit se një valë e re po vjen, vala Omicron. Një ditë më vonë, Komiteti COVID ndërhyri dhe vendosëm – si vendi i parë në botë – të ndalonim shtetasit e huaj nga futja në Izrael. Koha që fituam me masa të hershme po skadon. Omicron është tashmë në vendin tonë, nga Knesseti (parlamenti) deri në çerdhe, dhe po përhapet shpejt”, ka thënë Bennett në një adresim televiziv.

Ai ka thënë se synimi është të tejkalohet kjo valë duke u vazhduar aktiviteti ekonomik dhe edukativ sa më tepër të jetë e mundur. I ka bërë thirrje nejrëzve që të mbajnë distancën sociale, të vënë maska, të punojnë nga shtëpitë dhe të vaksinojnë fëmijët e tyre.

Izraeli ka regjistruar 134 raste të konfirmuara me Omicron dhe 307 tjera janë të dyshuara.

Nga dita e martë, izraelit do të ndalohen nga udhëtimi në SHBA, Itali, Belgjikë, Gjermani, Hungari, Marok, Portugali, Kanada, Zvicër dhe Turqi pa marrë një leje. Britania e Madhe ishte shtuar në listë javën e kaluar.