Botë

Erdogani premton këndelljen e ekonomisë

Më 16 dhjetor, Erdogani kishte njoftuar se do të rrisë pagën minimale për 50 për qind. Kjo lëvizje pritet që të rrisë inflacionin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit me 3.5 deri në 10 pikë të përqindjes

Stamboll, 19 dhjetor (AP) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se në të kaluarën ka arritur që ta ulë inflacionin për rreth 4 për qind dhe se këtë gjë do të arrijë ta bëjë sërish, teksa çmimet vjetore janë rritur për 21 për qind, për shkak të politikave agresive të Erdoganit, që kanë çuar në rënien e vlerës së lirës.

Erdogani ka thënë se politika e re e bazuar në nivele të ulëta të interesit, ishte pjesë e “luftës së suksesshme për pavarësi ekonomike”, por shumica e ekonomistëve kanë thënë se këto politika janë të gabuara dhe parashikojnë se inflacioni do të shkojë përtej shifrës prej 30 për qind gjatë vitit të ardhshëm.

Të premten, monedha kombëtare turke, lira, arriti rekordin më të ulët kundrejt dollarit amerikan. Gjatë këtij viti, lira ka humbur rreth 55 për qind të vlerës së saj, përfshirë 37 për qind të vlerës e ka humbur vetëm gjatë 30 ditëve të fundit.

Të dielën, më 19 dhjetor, Erdogani ka përsëritur qëndrimin e tij se normat e interesit shkaktojnë inflacion, duke shtuar se ai nuk do të lejojë që turqit të shkatërrohen si pasojë e normave të larta të kredive.

“Herët ose vonë, siç e kemi ulur inflacionin për 4 për qind kur unë erdha në pushtet, do ta ulim sërish”, ka thënë Erdogan. “Do Zoti, së shpejti inflacioni do të fillojë të bjerë”, ka shtuar ai.

Më 2011, inflacioni kishte rënë për rreth 4 për qind, përpara se të fillonte të rritej gradualisht nga viti 2017. Në nëntor të këtij viti, inflacioni u rrit nga 3.5 në 21.3 për qind.

Më 16 dhjetor, Erdogani kishte njoftuar se do të rrisë pagën minimale për 50 për qind. Kjo lëvizje pritet që të rrisë inflacionin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit me 3.5 deri në 10 pikë të përqindjes.

Shumë qytetarë në Turqi kanë thënë se rritja e pagave nuk do të mjaftojë, pasi çmimet e jetesës janë rritur shumë.

Për shkak të presionit nga Erdogani, Banka Qendrore ka ulur normat e interesit që prej muajit shtator. Erdogani ka argumentuar se ky model do të rrisë eksportet, do të nxisë punësimet, investimet dhe rritjen ekonomike.

Lira turke ka shënuar rënie rekorde të martën pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përforcoi mbështetjen e tij për uljen e normave të interesit, duke paralajmëruar se vendi ishte në një “luftë për pavarësi ekonomike”.

Monedha turke pësoi rënie drastike pasi aktualisht 13 lira shkëmbehen për një dollar, një rënie prej 15 për qind.

Turqia po përballet me krizën më të rëndë të monedhës së saj nga gushti i vitit 2018, kur vlera e lirës arriti në nivelet më të ulëta historike gjatë një mosmarrëveshjeje me presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Banka Qendrore Turke iu nënshtrua presionit të presidentit Erdogan dhe uli normën e saj nga 16 në 15 për qind, pavarësisht rritjes së inflacionit dhe devalvimit të shpejtë të monedhës.

Erdogan, një kundërshtar i hapur i normave të larta të interesit, e ka ndërtuar gjithmonë popullaritetin e tij mbi një reputacion të rritjes së fortë ekonomike dhe përmirësimit të të ardhurave të familjeve në të gjithë vendin.

Ai është i njohur për besimin e tij të fortë se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion në vend që të ndihmojnë në uljen e tij.