Botë

NATO-ja po planifikon të dërgojë trupa shtesë në Bullgari e Rumani

Pas shtimit të forcave ruse në kufi me Ukrainën, komandanti i lartë i NATO-s ka bërë thirrje për shtim të trupave në kufirin lindor të aleancës.

Sipas informatave të gazetës gjermane “Der Spiegel’, gjenerali amerikan Tod D. Wolters, komandanti suprem i forcave aleate për Evropë, i ka propozuar NATO-s nëpërmjet një videolidhje me shefat ushtarakë të shteteve partnere, të shtohet prezenca e trupave si në shtetet baltike dhe Poloni, ngjashëm edhe në Rumani e Bullgari. Trupat të shtohen nëpërmjet misionit EFP.

Propozimi i tij është mjaft specifik. Si në shtetet baltike, NATO po ashtu duhet të vendosë kontingjente të saj sipas misionit EFP, me nga 1500 trupa edhe në Bullgari e Rumani. Në Poloni e shtetet baltike, këto njësite të NATO-s kanë stërvitur së bashku me trupat lokale që nga viti 2017.

Me fillimin e misionit në shtetet baltike, NATO reagoi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2017. Sipas gjeneralit shtimi i misionit EFP do të ishte sinjal në reagim ndaj shtimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën.

Zyrtarët ushtarakë të NATO-s thonë se kjo do t’ia bëjë të qartë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin se është duke u përcjellë ndërsa ai po vendosë afro 100 mijë ushtarakë me pajisje të rënda ushtarake dhe sistem modern raketor në mes të Evropës.

Komandanti amerikan Woltes insiston se zgjerimi i misionit në krahun jugor të NATO-s nuk do të ishte provokim. Por se shtimi i trupave shërben si garanci për shtetet partnere atje.