Botë

Rusia detyrohet ta dëmshpërblejë gruan së cilës bashkëshorti ia preu duart

Rusia është urdhëruar të paguajë mbi 370,000 euro kompensim për një grua të cilës iu prenë duart nga bashkëshorti i saj.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka thënë se Rusia ka dështuar ta luftojë dhunën në familje, dhe urdhëroi kompensimin e katër grave të cilat janë sulmuar brutalisht.

Aty përfshihen, Margarita Gracheva, bashkëshorti i së cilës e rrëmbeu më 2017 dhe e sulmoi me sëpatë.

Gjykata i tha Rusisë që të bëjë ndryshime urgjente për të ndaluar sulme të tilla në të ardhmen, raporton BBC.

Ka thënë se dhuna në familje kundër grave po ndodhë në shkallë të madhe dhe Rusia ka shkelur dy pika të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në dhjetor 2017, bashkëshorti e dërgoi Grachevën në mal dhe ia preu duart me një sëpatë. Ajo e kishte raportuar në polici për sjellje agresive, por policia s’e kishte marrë parasysh.

Më 2017, presidenti Vladimit Putin, ka nënshkruar një ligj i cili lehtëson dënimet për dhunën në familje. Vepra ku viktima nuk hospitalizohet nuk trajtohet më si vepër penale dhe dënimet janë reduktuar.

Tri gra të tjera, Natalya Tunikova, Yelena Gershman dhe Irina Petrakova, do të kompensohen po ashtu.