Botë

Irani arreston 21 të dyshuar për terrorizëm

Autoritetet zyrtare të Iranit kanë thënë se forcat e sigurisë kanë arrestuar 21 persona të dyshuar si ekstremistë të Shtetit Islamik, në verilindje të qytetit Mashhad.

Zëvendës prokurori i përgjithshëm i Mashhadit, Hassan Heidari, ka thënë se disa nga të arrestuarit janë iranianë, ndërsa të tjerët janë afganë që kanë hyrë në Iran me “dokumente false”.

Heidari është cituar nga mediat iraniane të ketë thënë se disa nga të arrestuarit kanë qenë pjesëmarrës në “aksione terroriste” jashtë Iranit.

Arrestimet kanë ndodhur pas sulmeve në parlamentin e Iranit dhe tempullin e Ayatollah Khomeinit, më 7 qershor.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.

Në kohën e fundit, autoritetet iraniane kanë thënë të kenë arrestuar qindra “terroristë” të lidhur me Shtetin Islamik dhe grupe të tjera.