Botë

2 vjet e 11 muaj burgim për burrin që goditi me shqelm një grua në metronë e Berlinit

Gjykata e Landit të Berlinit e dënoi shkelmuesin e stacionit të metrosë Hermannstraße në Neukölln të Berlinit me dy vjet e 11 muaj heqje lirie.

Svetoslav S. është fajtor për një lëndim trupor të rrezikshëm dhe në një rast të veçantë për veprime eksibicioniste, deklaroi gjykata. Prokuroria pati kërkuar një dënim me burgim prej tri vjetësh e nëntë muajsh, ndërsa mbrojtja pati kërkuar një dënim me kusht prej dy vjetësh për 28 vjeçarin.

Një ekspert psikiatër pati konstatuar më parë se dorasi është vetëm pjesërisht i përgjegjshëm penalisht për fajin - për shkak të një defekti në tru pas një aksidenti automobilistik si dhe për shkak të shpërdorimit të alkoolit dhe drogës. Pala bashkëpaditëse hoqi dorë nga kërkesa për fillimin e një procedurë të veçantë penale.

Studentja 26-vjeçare që e goditën ra me fytyrë në platformën e metrosë. Ajo theu krahun dhe mori një plagë në kokë. Në proces ajo tha se kishte vuajtur për muaj të tërë nga ngjarja. Në fillim ajo e pati shmangur kontaktin me botën e jashtme. Sulmi në stacionin e metrosë Hermannstraße në lagjen e Berlinit Neukölln, i tetorit 2016 shkaktoi në të gjithë Gjermaninë tmerr dhe zemërim.

I padituri me origjinë bullgare e pranoi fajin në fillim të procesit dhe kërkoi falje. Përmes avokatit të tij mbrojtës ai e pranoi se ai është personi që duket në videon e mbikëqyrjes të shpërndarë nga policia. Por ai kishte qenë nën ndikimin e drogës dhe nuk i kujtohet akti. Ai qe arratisur dhe u arrit të arrestohet vetëm në dhjetor, kur u kthye nga Franca me të shoqen në stacionin qendror të autobusëve. Pak më parë, policia pati publikuar filmimet e kamerave të përgjimit./DW