Botë

Shkon në 13 numri i të vdekurve nga vullkani në Indonezi

Descriptive Text

Të paktën 13 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pasi një vullkan shpërtheu në ishullin Java të Indonezisë të shtunën, bënë të ditur autoritetet e emergjencës.

Banorët u filmuan duke ikur nga një re gjigante hiri nga mali Semeru.Fotot tregojnë fshatra të tëra të varrosura në hirin vullkanik deri në çati, dhe vendasit kanë përshkruar tymin e dendur që bllokon diellin, duke i lënë ata në errësirë.

Zyrtarët thanë se të paktën 57 persona janë lënduar shumë prej të cilëve kanë pësuar djegie të rënda.

Një zëdhënës i agjencisë indoneziane për zbutjen e fatkeqësive (BNPB) ka thënë se të lënduarit po trajtoheshin në spitale dhe objekte të ndryshme mjekësore.

Shpërthimi ka lënë të paktën 11 fshatra në rrethin Lumajang të mbuluara me hi vullkanik, duke detyruar disa të evakuuar të kërkojnë strehim në xhami dhe strehimore të improvizuara.

Sipas zyrtarëve të BNPB-së, 902 persona janë evakuuar nga zona deri më tani.

Por përpjekjet për evakuim janë penguar nga tymi mbytës, ndërprerja e energjisë elektrike dhe stuhitë e shiut gjatë shpërthimit që i ktheu mbeturinat në baltë.