Botë

Portugalia rikthen masat shkaku i Omicronit

Descriptive Text

Portugalia ka kthyer masat e kufizimit në përpjekjen për ta frenuar valën e re të përhapjes së koronavirusit.

Vendi ka ashpërsuar kontrollet në të gjitha aeroportet, portet detare dhe kufijtë tokësorë të vendit, si pasojë e rregullave të reja që kanë hyrë në fuqi që nga orët e para të së mërkurës.

Bartja e maskave është bërë sërish e detyrueshme në vendet e mbyllura, ndërsa certifikatat digjitale për vaksinim apo shërim nga COVID-19 duhet të prezantohen për hyrje në të gjitha restorantet, kinematë dhe hotelet e vendit.

Ndonëse Portugalia nuk është përballur me ngritje po aq të madhe të rasteve sa vendet e tjera të Evropës, shteti ka raportuar për 14 raste të infektimit me variantin e ri të koronavirusit, Omicron.

Të gjitha rastet me këtë variant janë të ndërlidhura me një klub sportiv nga Lisbona.

Në total, vendi ka regjistruar të martën 2 mijë e 907 raste të reja pozitive me COVID-19.