Botë

Ushtria sudaneze pajtohet ta rikthejë në pushtet kryeministrin Hamdok

Është arritur një marrëveshje mes ushtrisë së Sudanit dhe liderëve civilë për të rikthyer në pushtet kryeministrin Abdalla Hamdok, që u rrëzua nga froni pas grusht-shtetit ushtarak muajin e kaluar. Lajmin e kanë bërë të ditur liderët ushtarakë dhe qeveritarë të dielën raporton agjencia AP.

Po ashtu është thënë se zyrtarët qeveritarë dhe politikanët e arrestuar që nga puçi më 25 tetor do të lirohen si pjesë e marrëveshjes mes ushtrisë dhe partive politike, përfshirë edhe partisë më të madhe Umma.

Mirëpo, partia lëshoi një komunikatë më vonë duke lënë të kuptohet se nuk ka nënshkruar marrëveshjen.

Hamdok do të drejtojë një kabinet të pavarur teknokratik, kanë thënë zyrtarët. Ata thanë se OKB-ja, SHBA-ja dhe tjerët luajtën rol kyç në hartimin e marrëveshjes. Folën në kushte anonimiteti për të diskutuar marrëveshjen përpara se të bëhej zyrtare.

Grusht-shteti, më shumë se dy vjet pas një kryengritje popullore që detyroi largimin e autokratit Omar al-Bashir dhe qeverisë së tij islamiste, është përcjellë me kritika ndërkombëtare. SHBA-ja, aleatët e saj dhe Kombet e Bashkuara kanë dënuar përdorimin e forcës së tepruar ndaj protestuesëve kundër grusht-shtetit.

Sudanezët kanë dalë në rrugë në masë të madhe që kur ushtria mori pushtetin, që përmbysi tranzicionin e brishtë të vendit drejt demokracisë. Marrëveshja e arritur vjen vetëm disa ditë pasi mjekët thanë se së paku 15 persona janë vrarë gjatë protestave kndër grusht-shtetit.