Botë

Trazira në Selanik, protestuesit përdorin koktej molotovi

Policia është përplasur me protestuesit grekë në orët e vona të së mërkurës në Selanik. Trazira nisi pas protestës paqësore për përvjetorin e kryengritjes së vitit 1973.

Më shumë se 14 mijë njerëz marshuan paqësisht para se të rinjtë të sulmonin policinë me koktej molotovi. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e protestuesve. Nuk është raportuar për të lënduar, mirëpo policia ka bërë të ditur se 20 persona janë arrestuar.

Protestë e ngjashme me 20 mijë pjesëmarrës është mbajtur edhe në Athinë. Më shumë se pesë mijë policë janë angazhuar për të mbajtur rendin për shkak se në mesin e protestuesve kishte anarkistë që shpesh kanë sulmuar Ambasadën amerikane, raportuan 

Protesta është mbajtur përkundër masave për mbrojtje nga pandemia dhe shumica e protestuesve kanë mbajtur maska. Në vitin 1973, studentët i prinë protestës pro-demokracisë në Universitetin Politeknik të Athinës. Pjesëtarët e regjimit ushtarak hapën zjarr ndaj protestuesve të paarmatosur.

Së paku 20 persona mendohet se janë vrarë, ani pse numri i saktë kurrë nuk është bërë i ditur. Greqia riktheu demokracinë në korrikun e vitit 1974, pas shembjes së diktaturës. Shumica e protestuesve të krahut të majtë kanë marshuar çdo vit në drejtim të Ambasadës amerikane, sepse Washingtoni ishte akuzuar për përkrahje të regjimit ushtarak të Greqisë në vitin 1974.