Botë

Brenda dy javësh, SHBA-ja vaksinoi rreth 10% të fëmijëve të moshave 5-11 vjeç

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se rreth 10% e fëmijëve të moshave 5-11 vjeç e kanë marrë tashmë dozën e parë të vaksinës anti-COVID “Pfizer”, që kur ajo është aprovuar për këto grupmosha, dy javë më parë.

Të paktën 2,6 milionë fëmijë e kanë pranuar dozën e parë të kësaj vaksine, ka njoftuar koordinatori për COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë, Jeff Zients të mërkurën, me 1.7 milionë doza të administruara vetëm javën e fundit, afërsisht dyfishi i ritmit të javës së parë pas miratimit.

Sipas njoftimit, ky ritëm i vaksinimit të fëmijëve, është më shumë se tre fish më i shpejtë se procesi i vaksinimit tek të rriturit, në fillim të procesit, 11 muaj më parë.

Zients ka bërë të ditur se në të gjithë SHBA-në, tani janë 30,000 lokacione ku fëmijët mund të vaksinohen, nga 20,000 sa ishin javën e kaluar, dhe se administrata pret që ritmi i injektimeve pediatrike të rritet në ditët në vijim.

Fëmijët që e marrin dozën e parë të vaksinës deri në fund të kësaj jave, do të mund ta marrin dozën e dytë deri për Krishtlindje, pasi doza e dytë merret tri javë pas të parës.