Botë

Ligjet evropiane nën kërcënim

Descriptive Text

Zyrtarët e BE-së dhe agjencitë e OKB-së tashmë po shqetësohen që Polonia po ua mohon hyrjen në zonën e saj kufitare pranë Bjellorusisë, ku mijërave individëve u është refuzuar hyrja në rrethana që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Tetë persona kanë vdekur në kufi, në tokën e askujt

Frika se lideri autoritar i Bjellorusisë po i përdor emigrantët e refugjatët si metodë “të luftës hibride” në mënyrë që të minojë sigurinë e Bashkimit Evropian po sjellin tendosje të reja në disa vlera e ligje për bllokun e 27 shteteve.

Kriza në kufijtë lindorë të Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë po nxit thirrje drejt BE-së që të financojë ndërtimin e gjërave që nuk donin t’i kishin kurrë: gardhe e mure në kufi.

Kjo ide u shpreh këtë javë, në ceremoninë e përkujtimit të barrierës evropiane më të njohur në histori, Muri i Berlinit.

Kriza e kufijve me Bjellorusinë ka muaj që po gatitet. Zyrtarët e lartë të BE-së kanë theksuar se lideri autoritar i Bjellorusisë, presidenti Alexander Lukashenko, po i josh mijëra emigrantë e refugjatë në Minsk me premtimin se do t’u ndihmojë t’ia mësyjnë Evropës Perëndimore.

Bjellorusia e mohon se po i përdor ata si pengje, mirëpo BE-ja i qëndron asaj se Lukashenko po hakmerret për sanksionet e vendosura ndaj regjimit të tij, pasi zgjedhjet e diskutueshme të presidentit për një mandat gjashtëvjeçar çuan në protesta antiqeveritare dhe drejt një goditjeje në konflikt të brendshëm.

Kriza doli në krye kur grupe të mëdha azilkërkuesish u mblodhën së fundmi në një pikë kufitare me Bjellorusinë pranë fshatit Kuznica, në Poloni. Varshava forcoi sigurinë atje, duke dërguar njësitë speciale për të kthyer mbrapsht ata që u përpoqën të kalonin gardhin prej teli, i cili kishte brisqe gjithandej.

Image
Rreth 8 mijë emigrantë kanë hyrë në shtetin e Bjellorusisë këtë vit, kurse rojet e kufijve i kanë ndaluar rreth 28 mijë përpjekje për ta kaluar kufirin

Problemet e Polonisë

Ligjvënësit polakë bënë thirrje për gjendje të jashtëzakonshme dhe i ndryshuan ligjet e vendit për azilin. Vetëm trupat ushtarakë kishin të drejtë hyrje në zonë që t’i trazojnë agjencitë e refugjatëve dhe ortakët e Polonisë nga Bashkimi Evropian. Edhe Lituania po merr masa të njëjta duke nisur gardhin e saj kufitar.

Dega ekzekutive e BE-së, Komisioni Evropian, beson se muret e barrierat nuk kanë qenë efektive dhe deri më tani u ka rezistuar thirrjeve për financimin e tyre, megjithëse tash, do të paguajë për infrastrukturë si për kamerat dhe pajisjet e vëzhgimit.

Në frymën e shtuar të sigurisë, ky qëndrim ka gjasa të ndryshojë.

“Jemi duke u përballur me një sulm brutal hibrid në kufijtë tanë të BE-së. Bjellorusia po i fuqizon shqetësimet e emigrantëve në mënyrë cinike e tronditëse”, ka sqaruar të martën në Gjermani, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në ceremoninë e 32-vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit.

“Kemi zhvilluar debat për financimin e infrastrukturës fizike kufitare nga BE-ja. Kjo duhet të zgjidhet shpejt, ngase kufijtë polakë dhe baltikë janë kufij të BE-së. Të gjithë për një dhe një për të gjithë”, ka potencuar Michel.

Kjo qasje, si dhe taktika të tjera kufitare po shkaktojnë trazira. Të mërkurën, duke iu drejtuar ligjvënësve, komisari i lartë i OKB-së për refugjatë, Filippo Grandi, i bëri thirrje kryesisë evropiane e apeloi te blloku që ta shmangin “garën për në fund” në politikën e migracionit.

“Këto sfida thjesht nuk i justifikojnë veprimet e gjunjëzimit të cilat i kemi parë në disa vende; diskursin e papërgjegjshëm ksenofobik; muret e telat me gjemba; shtyrjet e dhunshme që përfshinin edhe rrahjen e refugjatëve e emigrantëve, nganjëherë zhveshjet e tyre lakuriq dhe hedhjen e tyre në lumenj, madje duke i lënë edhe të mbyten në dete si dhe përpjekjet për t’iu shmangur detyrimeve të azilit duke paguar shtetet e tjera për të marrë përsipër përgjegjësitë e veta”, ka spikatur Grandi.

“Bashkimi Evropian, një bashkësi e bazuar në rregulla të ligjit, duhet dhe mund të jetë më e mirë se kaq”, ka theksuar ai.

Numër i madh

Rreth 8 mijë emigrantë kanë hyrë në shtetin e Bjellorusisë këtë vit, kurse rojet e kufijve i kanë ndaluar rreth 28 mijë përpjekje për ta kaluar kufirin, sipas të dhënave nga Komisioni Evropian.

Zyrtarja e lartë e Komisionit për Punët e Brendshme, Monique Pariat, ka thënë se shumica janë irakianë ose sirianë që udhëtojnë për në Minsk nga Libani, Jordania, Turqia, Siria dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ata i japin një shumë të majme parash një kompanie turistike shtetërore, shumë e cila shkon “në xhepat” e Lukashenkos, ka treguar ajo.

Është gjëja e fundit që evropianët duan ta shohin. Hyrja e mbi 1 milion njerëzve në vitin 2015, shumica e të cilëve iknin nga konflikti në Lindjen e Mesme, shkaktoi krizën më të vështirë politike të BE-së. Ata nuk kanë arritur të merren vesh se kush duhet të mbajë përgjegjësi për emigrantët dhe refugjatët e nëse vendet e tjera të BE-së duhet të ndihmojnë.

Greqia dhe Italia ishin në krye para gjashtë vjetëve. Spanja ka pranuar mijëra azilkërkues viteve të fundit. Tani është radha e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë.

Shumë prej atyre në Perëndim, besojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, po e mbështet Lukashenkon në shënjestrimin e Evropës.

“E dinë shumë mirë që kjo është një dukuri që i përçan shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet të jemi të vetëdijshëm se në rast se luhet loja e tyre do të kemi grindje mes vete”, ka potencuar Isabel Wiseler-Lima nga Luksemburgu, ligjvënëse konservatore e BE-së.

Image
Hyrja e mbi 1 milion njerëzve në vitin 2015, shumica e të cilëve iknin nga konflikti në Lindjen e Mesme, shkaktoi krizën më të vështirë politike të BE-së

Mbrojtja e kufijve

Në samitin që u mbajt muajin e kaluar, krerët e bllokut urdhëruan Komisionin “të propozojë çdo ndryshim të nevojshëm në kuadrin ligjor të BE-së dhe të merren masa konkrete mbi mbështetjen e duhur financiare që ta sigurojnë një përgjigje të menjëhershme e të përshtatshme”.

Disa javë më herët, 12 vendet anëtare - Austria, Bullgaria, Qipro, Republika Ceke, Danimarka, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia – kishin kërkuar nga Komisioni Evropian t’i forcojnë rregullat që ndreqin zonën e udhëtimit pa pasaporta të Evropës, e njohur si zona Shengen.

Ata duan “mbrojtje më të fortë të kufijve” dhe mjete të reja për shmangien “e pasojave të mëdha të sistemeve të mbingarkuara të migracionit dhe azilit dhe shterimit të kapaciteteve të akomodimit”, që mund ta zbehë besimin e publikut në aftësinë e BE-së për të vepruar me vendosmëri.

Çështja është nëse këto mjete do të përbënin “tërheqje”- mohimi i hyrjes së njerëzve, shpesh edhe me forcë, pa u dhënë atyre as edhe një mundësi të aplikojnë për azil, të cilat janë të paligjshme sipas traktateve ndërkombëtare të refugjatëve dhe ligjit të BE-së.

Zyrtarët e BE-së dhe agjencitë e OKB-së tashmë po shqetësohen që Polonia po u mohon hyrjen në zonën e saj kufitare pranë Bjellorusisë, ku mijërave individëve u është refuzuar hyrja në rrethana të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Tetë persona kanë vdekur në kufi, në tokën e askujt.

Komisioni është duke i shqyrtuar, po ashtu, edhe ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin polak për të drejtën e azilit, që në këtë rast duket se nuk është i garantuar”, ka theksuar zëdhënësi Adalbert Jahnz.

Përderisa tensionet po rriten, siguria po forcohet e metodat e vjetra po fitojnë sërish.

Evropa duhet t’i mbrojë kufijtë e saj të brendshëm dhe koha ka dëshmuar se e vetmja rrugë efektive janë barrierat fizike, në mënyrë që t’i sigurojnë qytetarët evropianë kundër ardhjes masive të emigrantëve të paligjshëm”, ishte shkruar në letrën drejtuar Komisionit javën e kaluar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke kërkuar rimbursim për fondet që qeveria e tij i shpenzoi për gjerdhet e veta kufitare.

Përktheu: Blerta Haxhiu