Botë

Prindërve u kërkohet t’i vaksinojnë fëmijët

Zonja e parë, Jill Biden, dhe kirurgu gjeneral, doktor Vivek Murthy, të hënën vizituan shkollën fillore “Franklin Sherman” në McLean të Virxhinas, për të lansuar fushatën mbarëkombëtare që promovon vaksinimin e fëmijëve

Administrata Biden po inkurajon shkollat lokale të shërbejnë si klinika të vaksinimit për fëmijë dhe si qendra informuese për prindërit ne lidhje me dobitë e vaksinimit pasi që Shtëpia e Bardhë synon të përshpejtojë procesin e vaksinimit për moshat 5 deri 11 vjeç.

Zonja e parë, Jill Biden, dhe kirurgu gjeneral, doktor Vivek Murthy, të hënën vizituan shkollën fillore “Franklin Sherman” në McLean të Virxhinas, për të lansuar fushatën mbarëkombëtare që promovon vaksinimin e fëmijëve. Kjo shkollë ishte e para që administroi vaksinën kundër poliomelitit në vitin 1954.

Vizita erdhi vetëm dy ditë pasi që rregullatorët federalë rekomanduan vaksinimin për grupmoshën përkatëse. Shtëpia e Bardhë deklaron që zonja e parë e vendit do t’i vizitojë klinikat pediatrike të vaksinimit në të gjithë vendin në javët e ardhshme në mënyrë që të inkurajojë vaksinimin.

“Vaksinimi është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët tuaj kundër COVID-19”, iu drejtua zonja e parë prindërve në bufenë e shkollës pasi vizitoi një qendër të vaksinimit në gjimnazin që u vaksinuan 260 nxënës. “Vaksina është analizuar deri në detaje dhe është testuar në mënyrë rigoroze. Ajo është e sigurt, falas dhe e gatshme të merret nga të gjithë fëmijët e vendit të moshës mbi 5 vjeç”, theksoi ajo.

Në të njëjtën kohë, sekretari i shërbimeve, “Shëndeti dhe Njeriu”, Xavier Becerra, dhe sekretari i Arsimit, Miguel Cardona, po përgatitin një letër drejtuar distrikteve të shkollave anembanë vendit duke i ftuar ato që të organizojnë qendra të vaksinimit për nxënësit e saporegjistruar. Këta zyrtarë po ua rikujtojnë distrikteve të shkollës që ata mund të ndikojnë në miliarda dollarë në fondet shtetërore për koronavirus që të përkrahin përpjekjet e vaksinimit pediatrik.

Administrata e Joe Biden po furnizon distriktet e shkollave me vegla dhe pajisje që ndihmojnë partneritetin e shkollave me barnatoret në mënyrë që të administrohet vaksinimi. Gjithashtu, shkollave po iu kërkohet të shpërndajnë informacione me prindërit e fëmijëve rreth dobive të vaksinimit dhe të dhëna të tjera mbi procesin e vaksinimit, ashtu që t’u kundërvihen dezinformatave që qarkullojnë mbi vaksinat.

Shtëpia e Bardhë po inkurajon shkollat që të mbajnë diskutime me komunitetin dhe të shpërndajnë të dhëna faktike mbi vaksinat dhe në ndërkohë po bashkëpunon me Akademinë Amerikane të Pediatërve që të bëhet një partneritet me mjekët lokalë, synimi i së cilës është publikimi i fakteve shkencore rreth vaksinave.

“Të qenit prind dhe i shqetësuar shkojnë dorë për dore dhe janë të kuptueshme”, theksoi zonja e parë në prani të prindërve. “Prandaj nuk mund t’ju garantoj që rreziqet e botës do të bëhen pak më të frikshme. Prisni vetëm derisa fëmijët tuaj të fillojnë të vozisin. Por marrja e vaksinës do të largonte së paku një nga këto rreziqe. Madje një rrezik goxha të madh!”, vazhdoi më tej ajo.

Rreth 28 milionë fëmijë të moshës 5 deri 11 vjeç janë të sapolejuar për vaksinim tani që vaksina “Pfizer” është aprovuar për grupmoshën e lartcekur. Shtëpia e Bardhë pohon që qeveria federale ka siguruar mjaftueshëm sasi sa për vaksinimin me dy doza për të gjithë fëmijët.