Botë

Sinjalizuesja e Facebook-ut i frikësohet ndikimit të metaversës

Descriptive Text

Haugen thotë se gjiganti i mediave sociale prioritet e ka përfshirjen dhe ngritjen e numrit të përdoruesve e jo sigurinë e rrjetit. Duke ofruar një mal me dokumente të redaktuara për një mori organizatash, Haugen dyshon se të rinjtë po dëmtohen nga përmbajtja dhe se kompania nuk ka nisma konkrete për riparimin e këtyre lëshimeve

Sinjalizuesja e Facebookut, Frances Haugen, ka thënë se i frikësohet ndikimit të metaversës që e ka ribrenduar gjiganti social, do t’i detyrojë njerëzit të japin më shumë informacione personale, dhe njëherësh do t’i bëjë ata më të varur dhe do t’i krijojë kompanisë monopol interneti, duke krijuar një botë virtuale që i josh të gjithë.

Në një intervistë për “Associated Press”, para se të flasë para eurodeputetëve lidhur me rregullat e kompanive sociale, Haugen ka thënë se ish-punëdhënësi i saj e ka bërë prioritet metaversën, sepse “nëse nuk ju pëlqen një bisedë, mundoheni ta ndryshoni atë”.

“Facebooku është dashur të kishte një plan transparence për metaversën para se të niste rekrutimin e stafit, sepse ata mund të fshihen prapa një muri, vazhdojnë të bëjnë gabime të padëshiruara, vazhdojnë të bëjnë gjëra që kanë prioritet profitet e tyre para aspektit të sigurisë”, ka deklaruar ajo.

Metaversë është njëfarë interneti i jetësuar, duke ofruar realitet 3D. Shefi ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg, e ka përshkruar si “mjedis virtual” në të cilin mund të futeni brenda – në vend se ta shikoni nëpërmjet ekranit – dhe që rifokuson modelin biznesor të kompanisë për botën e ardhshme të realitetit virtual, duke përdorur pajisje virtuale që ju krijojnë përshtypjen se jeni brenda saj.

Haugen është ish-menaxhere produktesh në Facebook, e kthyer në sinjalizuese, pretendimet e së cilës për praktikat e kompanisë kanë rrokur vëmendje botërore. Dokumentet që ajo ua ka dorëzuar autoriteteve dhe dëshmia e saj para ligjvënësve në dy anët e Atlantikut kanë spikatur se kompania ka probleme serioze kur vjen puna te mënyra e përdorimit të të dhënave të përdoruesve. Deklaratat e saj kanë fuqizuar thirrjet dhe përpjekjet për rregullim më të qartë të bazës legjislative për mënyrën e funksionimit të kompanive të mëdha teknologjike.

Haugen thotë se gjiganti i mediave sociale prioritet e ka përfshirjen dhe ngritjen e numrit të përdoruesve e jo sigurinë e rrjetit. Duke ofruar një mal me dokumente të redaktuara për një mori organizatash, Haugen dyshon se të rinjtë po dëmtohen nga përmbajtja dhe se kompania nuk ka nisma konkrete për riparimin e këtyre lëshimeve.

Dokumentet e Haugenit kanë shpalosur krizën e brendshme të gjigantit të mediave sociale, që ofron shërbime falas për më shumë se tre miliardë përdorues. Zuckerberg i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar si “përpjekje e koordinuar” për të krijuar një imazh të rrejshëm të kompanisë.

Zyrtarët në kryeqytetet evropiane dhe në Uashington po i marrin shumë seriozisht pretendimet. Eurodeputetët i kanë shtruar të hënën shumë pyetje, para se ta duartrokisnin në fund të seancës prej dy orësh e gjysmë.

Bashkimi Evropian po harton rregulla të reja digjitale për bllokun prej 27 shtetesh anëtare, sipas të cilave kompanive teknologjike do t’u kërkohen “rojtarë digjitalë” që të ketë më shumë transparencë për algoritmet se çfarë shohin njerëzit dhe që të japin më shumë llogari para autoriteteve monitoruese.

Haugen është ndalur në Londër dhe Berlin për të folur me zyrtarë dhe deputetë. Ajo ka folur edhe gjatë një konference të teknologjisë në Lisbonë. Ajo do t’u adresohet edhe deputetëve francezë.

Përktheu: Rexhep Maloku