Botë

Opozita e quan “dorëheqje Facebooku” largimin e Zaevit

Descriptive Text

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqje pas humbjes së LSDM-së së tij në zgjedhjet lokale të së dielës.

Megjithatë, opozita e ka vlerësuar si “dorëheqje Facebooku” për shkak se Zaevi ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen në kuvendin e shtetit fqinj. Me dorëheqjen e kryeministrit, bie edhe kabineti qeveritar.

Kuvendi më vonë duhet njoftojë presidentin për situatën e re dhe mungesën e ekzekutivit. Presidenti pastaj e cakton mandatarin e ri. Nga kabineti i Stevo Pendarovskit thonë se presidenti do të veprojë sipas praktikës së deritanishme.

Zaevi e ka pranuar disfatën në garën më të rëndësishme pas zgjedhjeve parlamentare – LSDM-ja humbi garën për kryeqytetin, ku kryetari i deritanishëm, Petre Shilegov, u mposht nga sfiduesja e pavarur e mbështetur nga qendra e djathtë, Danela Arsovska. Përveçqë nuk arriti të përfundojë mandatin e dytë të kryeministrit, Zaev nuk arriti të përfundojë as mandatin e tretë në krye të LSDM-së.

Kandidatët e mbështetur nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE duket se kanë fituar së paku gjysmën e 80 komunave të vendit. LSDM-ja ka fituar më pak se njëzet sosh.

Dorëheqja e Zaevit nga kjo pozitë vjen vetëm shtatë muaj nga rizgjedhja në muajin mars. Në zgjedhjet e fundit brendapartiake ai ishte kandidati i vetëm duke marrë mbi 59 mijë vota nga anëtarësia. Sipas statutit të LSDM-së, zgjedhjet e parakohshme brendapartiake duhet të shpallen në afat prej 15 ditësh nga përfundimi i funksionit. \AP