Botë

25 të vrarë në aksionin policor në Brazil kundër një grupi kriminal

Policia në Brazil ka vrarë së paku 25 persona të dielën në një operacion që i ka ngjasuar luftës, kundër një grupi kriminal të armatosur rëndë, raportojnë mediumet e huaja.

Kjo shënon eskalim të dhunës në Brazil kundër grupeve kriminale, që po bëjnë plaçkitje të bankave në jug të Brazilit.

Autoritetet kanë nisur një operacion pas informatave se grupi po planifikon të vjedhë një bankë tjetër në qytetin Varginha në shtetin Minas Gerais të Brazilit. Policia ka thënë se grupi, që gjendej në dy lokacione në Varginha, ka shtënë në drejtim të tyre me të arritur të dielën në mëngjes.

“Ideja ishte të bënim arrestime, por në momentin kur vërejtën prezencën tonë, nisën luftimet. Kishin armë të rënda. Shumë naftë dhe eksplozivë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Aristides Amaral Junior.