Botë

Turqia heq ndalesën e pajisjeve elektronike për fluturimet në SHBA

Turqia po bëhet gati të heq ndalesën për pajisjet elektronike në fluturimet e Turkish Airlines që për destinacion kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ministri turk për Transport, Ahmet Arslan tha se zyrtarë amerikanë të sigurisë, të mërkurën do të monitorojnë zbatimin e marrëveshjes në aeroportet e Turqisë, pas çka ndalesa do të hiqet.

Sipas tij, zyrtarët amerikanë do të kontrollojnë aparatet për detektimin e eksplozivëve të vendosura në aeroportet anembanë Turqisë.

“Turqia është një vend i jashtëzakonshëm pasi forcat tona të sigurisë mund të ndërmarrin masa sigurie në mënyrë të pavarur”, tha Arslan, për të shtuar se zyrtarët amerikanë do të bëjnë vetëm vëzhgimin dhe verifikimin e sistemit të sigurisë, raporton AA.

Ai tha më tej se aeroporti Ndërkombëtar në Abu Dhabi, të dielën u bë aeroporti i parë i cili ka hequr ndalesën, pasi SHBA-ja vendosi masa shtesë për siguri.

Në fund të qershorit, Turqia filloi përdorimin e aparateve tomografike amerikane për të skanuar bagazhin në aeroporte, të cilat tashmë përdoren në aeroportet në SHBA, Holandë, Singapor dhe Johanesburg (Afrika e Jugut).

Në mars të këtij viti, SHBA-ja ndaloi pasagjerët të mbanin me vete në aeroplan pajisje të mëdha elektronike, siç janë laptopët, për fluturimet komerciale në SHBA nga 10 aeroporte ndërkombëtare nga vendet me shumicë myslimane, Egjipti, Maroku, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Turqia.