Botë

Franca synon masa kundër Britanisë rreth peshkimit

Zëdhënësi i Qeverisë franceze ka paralajmëruar se Parisi zyrtar do të nisë zbatimin e masave hakmarrëse ndaj Britanisë së Madhe që nga 2 nëntori, po qe se nuk arrihet një marrëveshje me vendin lidhur me përplasjen rreth licencave për peshkim.

Franca ka kundërshtuar vendimin e muajit të shkuar të marrë nga Britania dhe Ishulli i Jerseyit për t’ua refuzuar licencat dhjetëra anijeve franceze të peshkimit për operim në ujërat e tyre.

Parisi këtë veprim e kishte quajtur “të papranueshëm”. Këto kufizime Franca i konsideron si veprime që bien në kundërshti të plotë me marrëveshjen post-Brexit që Qeveria britanike e kishte nënshkruar, kur ka shkëputur rrugët me Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi Gabriel Attal ka thënë se Qeveria do ta shpalosë listën e plotë të masave gjatë ditëve në vijim.