Botë

Si po i ndihmon Bjellorusia “turistët” në kalimin drejt kufijve të BE-së

Bjellorusia është akuzuar se po i hakmerret Bashkimit Evropian për sanksionet, duke u ofruar emigrantëve viza turistike dhe duke i ndihmuar ata që t’i kalojnë kufijtë e saj. BBC-ja ka gjurmuar një grup që nëpërmjet këtij vendi të depërtojë në Gjermani

Kamera e telefonit celular lëviz majtas e djathtas, por askush nuk luan vendit. Udhëtarët e rraskapitur shtrihen të shpërndarë nën strehimin e drurëve.

Jamili ka mbështetur kokën mbi duar derisa bashkëshortja e tij Roshin është shtrirë përkrah tij.

Të tjerët duken porsi të vdekur. Kanë ecur këmbë që prej katërve të mëngjesit.

Me këtë përshkrim, gazetari i BBC-së, Paul Adams, e nis rrëfimin mbi rrugëtimin e një grupi emigrantësh përgjatë kufirit të shtetit të Bjellorusisë drejt Bashkimit Evropian.

“Jemi të rrënuar, absolutisht të rrënuar”, thotë kushëriri i Jamilit, Idrisi, pothuajse mekanikisht.

Për të mbërritur deri këtu, ai dhe miqtë e tij sirianë kaluan male e kodra. Pothuajse e humbën takimin e parë me trafikantin, ndërsa ngelën edhe pa ujë e ushqim.

Ngrijnë së ftohti ama nuk e marrin guximin të ndezin zjarr. Kaluan nga Bjellorusia në Poloni, për të shkelur më në fund në tokë evropiane. Por, ende nuk janë të sigurt, raporton BBC-ja.

Me mijëra të tjerë sikurse këta, të trimëruar nga bjellorusët për të kaluar në Poloni, Lituani dhe Letoni, përfunduan në burgim. Të paktën shtatë kanë vdekur nga hipotermia në pyjet polake.

Ekipi i BBC-së ka ndjekur shtegun e Idrisit dhe miqve të tij qëkur ata e braktisën Irakun verior këtë fundshtator.

“Vizat” e Lukashenkos

Idrisi e xhiroi gjithë udhëtimin në telefon dhe i dërgoi BBC-së video tërë kohës.

Grupi që e shoqëronte përbëhej prej kurdëve të Sirisë, kryesisht në të 20-tat, që synonin Evropën për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ishin nga Kobane, qytet ky i luftimeve të ashpra midis luftëtarëve kurdë dhe militantëve të Shtetit Islamik në fund të 2014-s. Por teksa motivet e tyre – jostabiliteti politik, frika nga rekrutimi, mungesa e vendeve të punës – janë të njëjta me ato të të gjithë emigrantëve në botë, shtegu që ata rrokën është ndryshe, raporton agjencia britanike.

Gazetari Adams raporton se Idrisi i kishte pranuar që mund të mos e provonte kurrë ikjen nga Siria sikur lideri autokrat i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, të mos e hapte shtegun e ri, dukshëm më të sigurt të kalimit.

“Bjellorusia ka mospajtime të vazhdueshme me BE-në”, i thotë ai gazetarit të BBC-së, kur pyetet se pse vendosi të nisej drejt Evropës. “Presidenti bjellorus vendosi t’i hapte kufijtë e vet me BE-në”.

Me këtë Idrisi po i referohej paralajmërimit të Lukashenkos nga fillimi i këtij viti se më nuk do ta ndalte kalimin e emigrantëve dhe narkotikëve drejt vendeve të bllokut.

Shenjat e hershme të këtij paralajmërimi zyrtarët në Lituaninë fqinje thonë se nisën që t’i vërenin qysh në fillim të marsit.

“Nisi në formën e indikacioneve nga Qeveria bjelloruse se janë të gatshëm t’i thjeshtësojnë procedurat e vizave.... për ‘turistët’ nga Iraku”, i thotë BBC-së zëvendësministri i Brendshëm lituan, Kestutis Lancinskas.

Në vend të udhëve të rrezikshme me barka nëpër ujërat e Mesdheut, emigrantët tani zgjedhin fluturimet drejt Bjellorusisë, udhëtimin disa-orësh me vetura deri në kufi dhe mandej thjesht kalojnë këmbë drejt njërës prej tri vendeve fqinje, anëtare të BE-së – Polonia, Lituania dhe Letonia. Gjatë korrikut dhe gushtit, Lituania regjistroi 50 fish më shumë kërkesa të azilit sesa gjatë gjithë 2020-s.

“Lutuni për ne”

Image

Në një zyrë mbushur me pasaporta – kryesisht siriane – Murad ia demonstron punën që e bën gazetarit Adams. Murad nuk është emri i tij i vërtetë. Ani pse roli i tij nuk është ilegal – krejt çfarë ai bën është të aranzhojë viza dhe fluturime drejt kryeqytetit bjellorus Minsk – ai nuk do që të identifikohet.

Emigrantët që synojnë kalimin e sigurt nëpërmjet Minskut, kompanitë bjelloruse fillimisht lëshojnë ftesa elektronike për t’ua lejuar njerëzve fluturimet drejt kryeqytetit. Porse disa rregulla ndryshuan pasi që njerëzit nisën të përfitonin para me ftesa të rreme.

Tani, raporton BBC-ja, emigrantëve u nevojiten vulat fizike të vizave në pasaportat e tyre para se të blejnë bileta aeroplani. Procedura zgjat më tepër, porse nuk është e komplikuar.

Puna e radhës është trafikanti. Në këtë pikë, kostoja rritet.

Muradi i thotë BBC-së se nuk punon për trafikantë, porse kur ekipi i gazetarëve shkoi në vendin e ngjarjes, jashtë zyrës Murati dhe një burrë tjetër dukej qartë se njiheshin.

BBC-së i tregojnë se Jouwani – që sërish nuk është emri i tij i vërtetë – është trafikant veteran që aranzhoi udhëtime nëpër Turqi e Greqi gjatë krizës së 2015-s me emigrantë.

E kur Idrisi dhe shokët mbërritën kësisoj në Minsk, vendi aty ishte i mbushur me emigrantët që kishin rrokur të njëjtën rrugë për në Evropë. Xhirimet e Idrisit nga Aeroporti i Minskut shpërfaqin tollovinë në terminalin e mbërritjeve.

Pas daljes nga aeroporti, Idrisi e kishte të rezervuar hotelin Sputnik në qytet. Por të tjerët nuk ishin aq me fat. Ai kontaktoi disa herë nga aty me ekipin e BBC-së nëpërmjet videomesazheve. Në njërën prej atyre që nisi, ai u jep një porosi gazetarëve.

“Lutuni për ne”.

Përtej kufirit bjellorus me Lituaninë, BBC-ja zbulon se lutjet dhe ëndrrat e mijëra emigrantëve sikurse Idrisi janë rrënuar. Deri në gusht, mbi 4.000 syresh ia dolën të kalonin kufirin e parrethuar. Disa depërtuan më tutje drejt Evropës Perëndimore, por shumica u kapën.

Abbasi, njëri prej emigrantëve të kapur nga Iraku, i thotë BBC-së se kushtet në vendin ku po mbahet janë të tmerrshme dhe se emigrantët po trajtoheshin si kriminelë.

“A është faji ynë që bjellorusët i hapën kufijtë drejt BE-së?”, pyet ai.

Në fund të udhëtimit ai thotë të ishte arrestuar shkurtimisht nga garda bjelloruse e kufirit. Por duket se krejt çfarë ata kërkonin ishte një suvenir.

“Bënë selfie me ne dhe na e treguan rrugën”, thotë ai për BBC-në.

Ani pse krejt emigrantët e burgosur sikurse Abbasi janë të vetëdijshëm që janë vetëm karrem në betejën gjeopolitike midis Bjellorusisë dhe BE-së, shumica e falënderojnë Lukashenkon për shansin e ofruar.

“Kur të dal që këtu, do ta bëj tatuazh emrin e tij në krah”, i thotë Adamasit të BBC-së Azzali, një tjetër emigrant nga Iraku.

Fluksi i emigrantëve në Lituani tani është frenuar, falë shtimit të sigurisë kufitare me ndihmën e agjencisë së BE-së për menaxhimin e kufijve, Frontex. Porse ka ende boshllëqe në kufij. Dhe prej tyre ende me dhjetëra emigrantë përpiqen që përditë të kalojnë në Lituani nga Bjellorusia.

“Mbërritja në destinacion”

Image

Tentimi i dytë i Idrisit dhe shokëve të tij për ta kaluar kufirin polak përfundoi – sikurse herën e parë – me dështim.

Andaj, 11 ditë pas mbërritjes në Minsk, ata provojnë përsëri, për të tretën herë, të mbërrijnë deri në Poloni, duke udhëtuar në Brest, qytet në jugperëndimin e largët të Bjellorusisë. Kësaj radhe ia dalin. Në errësirën e mesnatës, grupi qëndroi afër kufirit. Para tyre u shfaqën ushtarët dhe u thanë të prisnin. Disa minuta më vonë, një automjet i blinduar mbërrin dhe i shpjerë drejt një kamioni ushtarak, brenda të cilit Idrisi gjeti edhe rreth 50 emigrantë të tjerë.

“Mandej ushtarët na thanë që të prisnim për t’u siguruar se rruga drejt kufirit polak ishte e hapur”, i rrëfen Idrisi BBC-së.

Videoxhirimet që ai i dërgoi agjencisë gjatë dy ditëve pasues i shpërfaqnin miqtë tek mundi më në fund u shpaguhej. Kishin ecur këmbë një copë rruge. Ngjitja dyditore nëpër malet e dendura i kishte rraskapitur.

Dhe më në fund, më 9 tetor, ata mbërritën në pikën e takimit në qytetin polak, Milejczyce, ku i priste një veturë. Deri në agim veçse ishin në Gjermani.

Jamili dhe Roshini në Frankfurt.

Idrisi e vazhdoi rrugën drejt Holandës, ku planifikon t’u raportojë autoriteteve. Thotë se ka dëgjuar se nëse i jepet azili, rregullat holandeze të bashkimit familjar do t’ia mundësonin që t’i sillte gruan dhe dy vajzat binjake nga Kobane.

Por kjo punë do të marrë kohë.

“Kam hulumtuar rreth statusit të refugjatit në Evropë”, i thotë ai BBC-së. “Mendoj se do të duhen një deri në dy vjet kohë”.

Është vështirë të dihet sesa njerëz ia dolën që ta jetësojnë synimin për të mbërritur në Evropë qëkur Lukashenko i hapi dyert e vendit të tij.

Autoritetet bjelloruse i mohuan si të rreme pretendimet se u sigurojnë emigrantëve hyrje legale në BE dhe madje i fajësuan politikanët perëndimorë për situatën në kufi.

BBC-ja raporton se të paktën 10.000 emigrantë tani janë nën arrest – në Baltik, Poloni, Gjermani. Për shumicën prej tyre rrugëtimi ishte ndërmarrje pikëlluese. Një humbje e kushtueshme e kohës dhe parave – dhe në disa raste – të jetëve.

Përreth vendeve të prekura, thirrjet për kontrolle më të ashpra po shtohen.

Por, deri më tani, nuk ka shenjë se Lukashenko po zmbrapset.