Botë

“Pfizeri” raporton për shkallë të lartë efikasiteti nga doza përforcuese

Kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë bërë të ditur se bazuar në të dhënat e dala nga një studimi i ri, efikasiteti i dozës së tretë të vaksinës së tyre kundër varianteve të virusit, përfshirë edhe deltan, ka rezultuar i lartë.

Dy kompanitë kanë bërë të ditur se testimi i 10 mijë pjesëmarrësve nga mosha 16-vjeçare ka treguar se kura ka qenë 95.6 për qind efikase ndaj sëmundjes.

Studimi i ri gjithashtu ka treguar se vaksinat përforcuese kanë siguri të lartë. Kompania “Pfizer” ka bërë të ditur se efekti i vaksinës me dy doza do të bjerë me kalimin e kohës. Ka specifikuar se efekti i vaksinës bie në 84 për qind, katër muaj pas dozës së dytë.

Për këtë arsye, disa shtete kanë nisur fushatën për administrimin edhe të dozës së tretë të vaksinës.

Kompanitë farmaceutike kanë njoftuar se periudha mes administrimit të dozës së dytë dhe asaj të tretë duhet të jetë rreth 11 muaj.

Këto rezultate të testimeve kompanitë tani do t’i dërgojnë për vlerësim në Administratën amerikane për Ushqim dhe Ilaçe, Agjencinë Evropiane të Barnave dhe agjencive të tjera rregullatore.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian tashmë kanë autorizuar përdorimin e dozës së tretë të vaksinave “Pfizer” dhe “Moderna”.

Dozat e treta u jepen njerëzve që nuk kanë fituar imunitet të mjaftueshëm pas vaksinimit me dy doza.