Botë

Kryeministri polak në luftë verbale me BE-në sherri i sundimit të ligjit

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thelluar luftën verbale me kryetaren e Komisionit Evropian dhe deputetët, duke i akuzuar se synojnë që ta kthejnë shtetin në një provincë, në përshkallëzimin e ri të përplasjeve mes Varshavës dhe Brukselit rreth sundimit të ligjit.

Gjatë debatit të nxehtë në Parlamentin Evropian në Strasburg, Morawiecki ka pretenduar se drejtësia evropiane është përgjegjëse për “revolucionin në zhvillim” që e dobëson sovranitetin e Polonisë.

Ai madje i ka akuzuar ata që i ka quajtur “politikanë të BE-së”, pa specifikuar emra se po e shantazhojnë qeverinë e tij për t’iu bashkuar një “fuqie qendrore”. Përplasja ka shpërthyer qëkur gjykata kushtetuese e Polonisë ka vendosur se pjesët kyç të ligjeve të BE-së nuk përkojnë me Kushtetutën polake. Lidhur me këtë, Komisioni Evropian i ka vënë në tavolinë të gjitha opsionet e mundshme, duke përfshirë veprimin ligjor për bllokimin e fondeve. Shefja e KE-së, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar Poloninë se sfidimi i supremacisë së ligjeve evropiane i vë në dyshim vetë themelet e bllokut dhe ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar.