Botë

Policia italiane shtyp protestën ndaj pasaportës së vaksinimit

Policia italiane ka përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë demonstruesit që të hënën vërshuan rrugët e qytetit veriperëndimor Trieste për të protestuar ndaj vendimit qeveritar që e bën të domosdoshme pasaportën e vaksinimit kundër COVID-19 në vende të punës.

Të premten, Italia është bërë ekonomia e parë evropiane që ua ka kërkuar të gjithë punëtorëve dëshminë e vaksinimit apo testin negativ jo më të vjetër së 48 orë në mënyrë që të hyjnë në vendet e tyre të punës.

Protestat në vend kanë shpërthyer qysh nga e premtja, kur masa e rreptë hyri në fuqi. Punëtorët e portit të Triestes hynë në grevë, por shumica e aktiviteteve të portit kanë rifilluar të hënën.

Qeveria ka bërë të ditur se masa është e nevojshme për t’u siguruar që vendet e punës të jenë të sigurta ashtu që ekonomia italiane, që përjetoi një tkurrje prej 8.9 për qind vitin e kaluar, të mund të rimëkëmbet.