Botë

Del në gjyq çifti që akuzohet se fshehu sekrete të marinës amerikane në sandviç

Descriptive Text

Një ish-inxhinier bërthamor i marinës amerikane dhe gruaja e tij u përballën me seancën e parë gjyqësore për akuzat se u përpoqën t‘ia shisnin sekretet për nëndetëset bërthamore një fuqie të huaj në këmbim të kriptomonedhave.

Rasti i Jonathanit dhe Diana Toebbe është bërë i njohur nëpër botë edhe sepse akuzohen se tentuan t’i dorëzojnë sekretet e fshehura brenda një sandviçi me gjalpë kikiriku.

Ata u arrestuan pas një viti të operacionit të fshehur të agjentëve të FBI-së.

Toebbe, një inxhinier bërthamor, akuzohet se i ka dërguar dokumente një entiteti të huaj të paidentifikuar në vitin 2020, së bashku me udhëzimet se si të merren informacione shtesë. Departamenti i Drejtësisë nuk e ka emëruar vendin e përfshirë. Me ndihmën e bashkëshortes së tij, dyshohet se i shiti sekrete një agjenti të fshehtë të FBI-së që u paraqit si zyrtar i huaj përgjatë muajsh, raporton Guardian.

Dyshohet se burri fshehu një kartë të dhënash që përmban dokumente për reaktorë bërthamorë të nëndetëses në një sandviç me gjalpë kikiriku. Karta përmbante “elemente dizajnuese të ndjeshme ushtarake, parametra operativ dhe karakteristika të performancës së reaktorëve të nëndetëses së Virxhinia”.

Toebbe morën një shumë në formë kriptomonedhash prej 100.000 dollarë.